Xhaferi-Gir: Zgjedhjet e ardhshme jashtëzakonisht të rëndësishme për të ardhmen e vendit

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot ka pritur në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, David Gir. Ambasadori Gir e uroi Kryeministrin Xhaferi për emërimin e tij për Kryetar të Qeverisë, duke e theksuar mbështetjen e BE-së dhe Delegacionit në Shkup në vazhdimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen e institucioneve në realizimin e agjendës evropiane të shtetit, me theks të veçantë në organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në mënyrë korrekte dhe demokratike, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri Xhaferi shprehu kënaqësi që takimi i tij i parë është me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare është pikërisht me ambasadorin e BE-së në Maqedoninë e Veriut, që paraqet shenjë të qartë për kahun e lëvizjes së Qeverisë në periudhën e ardhshme.

Kryeministri theksoi se zgjedhjet e ardhshme janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen e vendit, sepse ato do të përcaktojnë rrjedhën e lëvizjes dhe progresit në periudhën e ardhshme. Kryeministri theksoi edhe se Qeveria do të vazhdojë me të njëjtën dinamikë, përkushtim dhe në kohë t’i zbatojë të gjitha proceset dhe detyrimet që dalin nga negociatat e nisura të aderimit me Bashkimin Evropian në drejtim të integrimit të përshpejtuar evropian.

Në takim theks i veçantë u vu në përkushtimin e përbashkët të Brukselit dhe Shkupit në lëvizjen e mëtejshme të suksesshme të aktiviteteve që kanë të bëjnë me Planin e rritjes të Ballkanit Perëndimor, dhe më këtë kontekst, ambasadori Gir e përshëndeti qasjen e deritanishme konstruktive të Qeverisë.

Duke e falënderuar ambasadorin Gir për mbështetjen parimore të Maqedonisë së Veriut nga BE-ja në procesin e realizimit të qëllimit strategjik të shtetit – anëtarësimit në BE, Kryeministri Xhaferi theksoi se Qeveria do të vazhdojë me aktivitetet për përparimin e demokracisë dhe sundimit të së drejtës, si edhe luftës kundër korrupsionit dhe përforcimit të shtetit juridik.

Në takim u këmbyen edhe opinione për çështjet aktuale të gjendjes së brendshme-politike në vend dhe zgjedhjet e ardhshme. Në këtë aspekt, ambasadori Gir potencoi se BE, si edhe deri tani, do i mbështesë aktivitetet e ODIHR-it në sigurimin e misionit mbikëqyrës dhe zbatimin e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike presidenciale dhe parlamentare.

Ndryshe, dje, kryeministri i deridjeshëm Dimitar Kovaçevski ia dorëzoi pozitën kryetarit të qeverisë kalimtare, Talat Xhaferit, i cili do të drejtojë vendin për 100 ditë.

Për herë të parë në historinë e vendit, me 65 vota për” dhe 3 “kundër”, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në krye të një Qeverie zgjodhi një shqiptar, përkatësisht Talat Xhaferin. Kjo Qeveri, do të duhet t’i organizojë zgjedhjet e rregullta parlamentare dhe presidenciale në 100 ditët e ardhshme. Në këtë përbërje me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të, Punës dhe Politikës Sociale do të udhëheqin kuadrot e VMRO-DPMNE-së opozitare, e cila nuk e votoi qeverinë. 65 votat, mbështetëse për Xhaferin kryeministër erdhën nga partia e tij amë, BDI, partia pushtetare maqedonase LSDM e cila në vete ka dhe disa parti tjera më të vogla partnere, por edhe nga partia Aleanca për Shqiptarët e cila prej marsit të vitit të kaluar ka hyrë në qeveri. Me një votë, kontribuoi edhe partia e posaformuar Partia Demokratike Evropiane nga i larguari nga Lëvizja Besa, Arianit Hoxha, me deputetin e saj Bastri Bajrami. Ashtu sikur PDE, votoi edhe Skender Rexhepi, deputeti i cili gjithashtu formoi Lëvizjen Populli, pasi u largua nga partia Alternativa. Tre deputetët e vetëm që votuan kundër ishin Pavle Trajanov – lider i Lidhjes Demokratike, i cili deri para ca kohësh ishte partner qeveritar. Atij iu shoqëruan edhe dy deputetët e partisë proruse në vend, Levica, kryetari Dimitar Apasiev dhe kolegu i tij Borisllav Krmov.

Qeveri teknike zakonisht krijohet për të kryer një (një) detyrim specifik, për një periudhë kohore të përcaktuar saktësisht, me fuqi vendimmarrëse rreptësishtë të kufizuara. Kryeministri teknik nuk mund të përdorë “të drejtat” e qeverisë politike – të propozojë ambasadorë, drejtorë të ndërmarrjeve publike nën juridiksionin e qeverisë, anëtarë në borde drejtuese.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Nga Kukësi, Berisha premton heqjen e traut në rrugën e Kombit

Gjatë fjalës së tij në Kukës, kreu i PD, Sali Berisha tha se një prej prioriteteve që do të ketë kur të vijë në...

“Ke humbur një të vërtetë, paç fat me kopjet”, Xheneta ‘thumbon’ përsëri përmes një seti fotografik

Xheneta po bën sërish bujë në rrjet pas disa deklaratave dhe postimeve me tone të qarta ironike, që shumë i kanë lidhur me Eglin...

Ziadin Sela: Absurditeti i VLEN-it – e emërojnë drejtor Petar Bogoevskin, të njëjtin që vetë e kanë paditur për gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve!

Emërohet drejtor Petar Bogoevski – një njeri që nuk ka lënë gjë të keqe pa thënë për shqiptarët. Ironikisht, ky është i njëjti person...

Mexhiti: Taravari nuk e ka vendin në Qeveri nëse ka vendosur të bashkëpunojë me BDI-në

Kryetari i Lëvizjes Demokratike pjesë e VLEN-it, Izet Mexhiti ka deklaruar se nëse Arben Taravari ka bashkëpunim me BDI-në, nuk e ka vendin në...

Sela: Pse jo !? Hipotetikisht edhe Izet Mexhiti të bëhet pjesë e Frontit Europian!

Ziadin Sela në Click Plus në TV21 i pyetur për mundësinë që Taravari të bëhet pjesë e Frontit Europian, tha se në situatë hipotetike,...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu