VLEN ndihmon Vetëvendosjen në mbushjen e sallës në Ferizaj
Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar shpesh partitë e tjera për mbushjen e sallave me përkrahës nga qytete të ndryshme, por këtë herë, sipas raportimeve, edhe vetë partia në pushtet ka ndjekur të njëjtën praktikë. Përveç organizimit brenda Kosovës, mbështetje për mbushjen e sallës në tubimin e mbajtur në Ferizaj ka ardhur edhe nga Maqedonia e Veriut.
Sipas një njoftimi të publikuar në grupin në Viber “Lëvizja Besa (grupi për informim)”, u bë thirrje për organizim dhe pjesëmarrje në tubimin e Vetëvendosjes në palestrën sportive “Bill Clinton” në Ferizaj, më 19 janar 2025, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Lëvizjes Besa, Adnan Azizi dhe Besar Durmishi.
“Nesër, ora 19:00, Lëvizja Vetëvendosje e ka tubimin e saj në Ferizaj në palestrën sportive ‘Bill Clinton’. Prezent nga Lëvizja Besa do të jenë Adnan Azizi dhe Besar Durmishi. Kush ka dëshirë, është mirë që të organizohet dhe të shkojmë sa më shumë vetura,” thuhej në njoftimin e Lëvizjes Besa.
Ky zhvillim ka ngjallur reagime dhe diskutime në opinionin publik, veçanërisht duke pasur parasysh që Vetëvendosje më parë ka kritikuar partitë e tjera për praktika të ngjashme.