Arrestimi i ish ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani dhe dërgimi në paraburgim ekstradues ka ngjallur shumë reagime në opinion, por heshtja ka kapluar politikanët shqiptar që janë pjesë e Qeverisë, VMRO-VLEN. Mediat për këtë veprim të policisë ka kërkuar qëndrim nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës sē Kosovës. Nga atje thonë se janë duke punuar dhe janë angazhuar edhe disa ekspert juridik për lirimin dhe kthimin e ish ushtarit në Kosovë.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës informon opinionin se shtetasit të Republikës së Kosovës, Blerim Ramadani, i është caktuar masa 30-ditore e paraburgimit me vendim të Gjykatës Themelore në Shkup. Blerim Ramadani është ndaluar më 17 korrik 2024 në pikëkalimin kufitar Jazhincë, bazuar në një fletë arresti të lëshuar nga Gjykata e Beogradit, përmes INTERPOL Serbia, me pretendimin për krime lufte në verën e vitit 1999 në rajonin e Nerodimës. Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup është angazhuar me ekip të ekspertëve juridik për lirimin sa më të shpejtë të z. Ramadani dhe kthimin e tij në familje. MPJD dhe institucionet e Kosovës do të përdorin të gjitha kanalet diplomatike për të siguruar lirimin e shtetasit tonë”, thonë nga MPJ e Kosovës./indeks.mk