Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e saj të palëkundur kur u takua me Kryeministrin Keir Starmer në Downing Street të shtunën, shkruan CNN.
“Pashë shumë njerëz dhe dua t’ju falënderoj ju, popull i Mbretërisë së Bashkuar, për një mbështetje kaq të madhe që nga fillimi i kësaj lufte,” tha Zelensky ndërsa qëndronte ulur pranë Starmerit.
“Dhe jam shumë i lumtur që madhëria e tij, Mbreti, pranoi të më takonte nesër dhe jam mirënjohës që organizuat një samit kaq të rëndësishëm për nesër. Ne në Ukrainë jemi shumë të lumtur që kemi partnerë strategjikë të tillë,” shtoi ai.
Starmer i tha Zelenskyt se Ukraina ka “mbështetje të plotë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar” dhe ritheksoi angazhimin e vendit të tij për ta mbështetur Ukrainën “për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.”
“Jeni shumë, shumë të mirëpritur këtu në Downing Street. Dhe siç e dëgjuat nga brohoritjet jashtë në rrugë, keni mbështetje të plotë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Ne jemi me ju, me Ukrainën, për aq kohë sa do të duhet,” tha Starmer.
Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar është e vendosur të qëndrojë pranë Ukrainës për të arritur qëllimin e tyre të përbashkët, që është “një paqe e qëndrueshme për Ukrainën, e bazuar në sovranitet dhe siguri.”