Ekziston një marrëveshje për mos koalicionim pas zgjedhjeve me parti e cila nuk i pranon ndryshimet kushtetuese dhe e njëjta duhet të respektohet nga kushdo që fiton zgjedhjet. Kështu thotë edhe kandidati për deputet nga radhët e koalicionit VLEN në zonën 2, Rijad Shaqiri. Ai shprehet se kjo marrëveshje ka qëndrim të prerë dhe për të njëjtën thotë se është deklaruar edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Atë marrëveshje e di se e kemi diskutuar edhe me kryetarin. Është marrëveshje ekzistuese, ka qëndrim të prerë, edhe sa I përket pjesëmarrësve në VLEN por me sa e di edhe z.Ahmeti ka deklaruar diçka të tillë. Të shohim se kush prej pjesëmarrësve në zgjedhje politike, do të then parimin bazë e cila është parim që pa ndryshimet kushtetuese mos meret pjesë në asnjë qeveri”, theksoi Rijad Shaqiri – Kandidat për deputet VLEN.
E sa mund të jetë shkak mos koalicionimi pa ndryshime kushtetuese për vonim të formimit të qeverisë? Sipas Shaqirit, kjo varet më së shumti nga rezultatet dhe numri i deputetëve të fituar. Sipas tij, nëse në dispozicion janë numerat e nevojshëm për formim të qeverisë, e njejta nuk duhet të vonohet.
“Ajo varet krejt nga konstelacioni, rrethanat apo rezultati i zgjedhjeve në pjesën maqedone. Nëse kemi numrat e nevojshëm të cilat mund të arrijnë të formohet qeveria e ardhshme, nuk duhet të humbet kohë. Duhet t’i përvishemi punës, t’i qasemi punës dhe të bëjmë përzgjedhjet më të mira për njerëzit që do të na përfaqësojnë nëpër dikastere të caktuara. Mjafton që të kemi profesionistë, mjafton që të kemi njerëz të cilët do t’i shtyjnë punët përpara”, pohoi Rijad Shaqiri – Kandidat për deputet VLEN.
Në zgjedhjet parlamentare, Shaqiri pret që koalicioni VLEN në zonën dy të fitojë tre deri në katër deputetë.