Gjatë muajit qershor, Gjykata e Strugës pritet që të shpallë aktgjykimet në pesë lëndët gjyqësore kundër kryetarit të Komunës së Strugës Ramiz Merko, në lidhje me emërimin e drejtorëve në mënyrë të paligjshme në pesë shkolla fillore, shkruan Alsat.
Gjykatësi Jordan Jovanov deklaroi se proceset gjyqësore ishin të komplikuara për shkak të sigurimit të dëshmitarëve.
“Procesi i sigurimit të dëshmitarëve ishte i rëndë, megjithatë. Me përpjekje të mëdha, me koordinim me të gjitha palët e përfshira, përfshirë edhe policinë shohim se ngadalë po vijmë deri te një përfundim”, tha Jordan Jovanov, gjykatës.
Në lëndët gjyqësore gjykimi ndaj Merkos vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve, pasi në seancën paraprake të 6 prillit, një pjesë e tyre nuk u paraqitën. Për këtë, gjykatësi Jovanov paralajmëroi se të njëjtit sot do të sillen me asistencë policore.
Merko ngarkohet se në kundërshtim me Ligjin për Arsim Fillor ka emëruar drejtorë në shkollat fillore në fshatrat Veleshtë, Llabunishtë, Podgorcë, Radolishtë dhe Vëllezërit Milladinov në Strugë.
Personat e emëruar për drejtorë, nuk i kanë plotësuar kushtet e nevojshme, respektivisht nuk kanë pasur të kaluar provimin shtetëror për drejtor, nuk kanë poseduar certifikatë për njohjen e gjuhës angleze dhe nuk kanë qenë nga radhët e të punësuarve./ Alsat.mk