Ajo që ndodh me burgjet është e turpshme. Kështu e vlerëson ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski situatën nëpër burgje për të cilën vlerëson se patjetër do të ketë përgjegjësi penale, shkruan Alsat.
Gjatë ditës drejtori i Zbatimit të Sanksioneve, Aleksandar Pandov ka qëndruar në burgun e Idrizovës.
Vizita e tij vjen pas vizitës së jashtëzakonshme që i bëri burgut hetues të Shutkës nga ku u konstatua mungesë e të burgosurve, sistematizim i tyre në kundërshtim me ligjin dhe dyshime për interesa biznesi brenda shtëpisë korrektuese-ndëshkuese.
Burgu i Idrizovës është institucioni me kushtet më mizore në shtet. Disa raporte të Avokatit të Popullit kanë adresuar këtë shqetësim, por autoritetet nuk kanë ndërmarrë asnjë në këtë drejtim.
Disa herë policia ka kryer bastisje nëpër pavijone të ndryshme e më së shumti ndaja tyre të arrestuar për rastin “Lagja e Trimave”, nga ku kanë gjetur qindra telefona celular dhe armë të ftohta. Nëpër pavijonet tjera shpeshherë është gjetur edhe sasi e konsiderueshme e lëndëve narkotike.
Në mars të vitit 2023 u zbulua tunel që ishte përgatitur për arrati.
Deri në tetor të vitit 2023, gjendja në burgun e Idrizovës ka rezultuar që në kapacitetet prej 1187 vendeve, në këtë institucion vuajnë 1311 të burgosur.
110 prej tyre kanë rezultuar në arrati, ndërsa 17 prej tyre shfrytëzojnë të drejtën që e ofron Ligji për zbatimin e sanksioneve për të punuar gjatë kohës sa vuan dënimin me burg.
Raportet dhe procesverbalet nga situata nëpër burgje do t’i dërgohen Qeverisë, policisë dhe prokurorisë. Në të njëjtën kohë, drejtori i Zbatimit të Sanksioneve deklaroi se do të kërkon shkarkimin e disa drejtorëve të burgjeve nga ana e Qeverisë. / Alsat.mk