Shqipëria nuk do të pranojë të strehojë emigrantë palestinezë. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama gjatë aktivitetit të zhvilluar në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih me temë Lufta në Gazë dhe konflikti Izrael-Palestinë.
Rama tha askush nga administrata Trump nuk e ka pyetur në lidhje me këtë çështje, por përgjigjia e Shqipërisë për pranimin e emigrantëve do të ishte negative.
“Asnjë nuk na ka pyetur nga administrata Trump, por dhe nëse do të na pyesin, çka nuk është e logjikshme, sepse ne jemi në mes të Europës dhe si mund të vijnë tek ne qindra-mijëra persona? Gjithsesi kjo është pjesë logjistike dhe ne jemi një vend i vogël. Por kjo nuk ka për të ndodhur, të paktën jo gjatë qeverisjes sime”, shprehet kryeministri Rama.
Kreu i qeverisë u solidarizua me vuajtjet e palestinezëve, por theksoi se Shqipëri nuk mund të bëhet pjesë e kësaj historie.
“Ne na vjen shumë keq për këta njerëz të cilët janë viktima të një prej diktaturave më të egra që ka ekzistuar ndonjëherë, që është Hamasi, por ne nuk jemi pjesë e kësaj historie dhe nuk do të jemi kurrë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë që në nisje të takimit shprehu habi pse duhet të ishte në një takim temë mbi konfliktet e Lindjes së Mesme duke thënë “Nuk kuptova pse më kërkuat dëshpërimisht që të isha pjesë e këtij paneli për Lindjen e Mesme”.
Gjatë bisedës kreu i qeverisë u përqendrua te BE duke ironizuar mënyrën e funksionimit, ai tha se unioni është një strukturë e cila sipas tij “shpik çdo javë normativa dhe rregullore të reja”.