Resurset publike janë pronësi e qytetarëve si taksapagues, por qasje në to kanë të zgjedhurit e popullit. Jo çdoherë përdoren ashtu siç duhet, madje raste të keqpërdorimeve të resurseve shtetërore ka me qindra. Nëse flasim për veturat zyrtare janë ndër privilegjet që më së shumti keqpërdoren nga funksionarët shtetëror. E keqpërdorimet e tilla vetëm se trashëgohen. Tani ka sinjale pozitive se po bëhet përpjekje për ta parandaluar një keqpërdorim të tillë, me çka marrin fund vizitat familjare me vetura zyrtare, shkruan Zhurnal.
Nismë fisnike për parandalimin e keqpërdorimit të veturave zyrtare –
Drejtori i Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë, Ivica Tomovski, sot njoftoi se Shërbimi për punët e përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë po përmirëson kontrollin e automjeteve zyrtare përmes një regjistri të saktë që garanton shpërndarje dhe shfrytëzim efikas të resurseve shtetërore.
Sipas fjalëve të tij, automjetet zyrtare do të kenë targa të unifikuara regjistrimi dhe pajisje GPS, të cilat do t’u mundësojnë kontrollin e vazhdueshëm të përdorimit të automjeteve për t’i bërë të shkuarës abuzimet e tyre. Tomovski më 17 shtator po ashtu njoftoi se autoveturat shtetërore të udhëtarëve do të shënohen me targa regjistrimi me ngjyrë të veçantë në mënyrë që qytetarët të dallohen më lehtë.
Ai shton se në një seancë të qeverisë është formuar një komision i përbërë nga Shërbimi për punët e përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë, zyra e Kryetarit të Qeverisë, Sekretariati i Përgjithshëm, Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Energjisë dhe zyra e Ministrisë për qeverisje të Mirë, me qëllim për të nisur procedurën për ndryshimin dhe plotësimin e dy ligjeve të rëndësishme për promovimin e transparencës dhe sundimit të ligjit.
Me këtë nismë nuk ka më vizita familjare me vetura zyrtare, sepse gjitha veturat do të ndiqen nga gps. Dhe, vetëm detektimi nuk është i mjaftueshëm por gjithsesi që duhet të pasojë edhe ndëshkimi. Sepse, njerëzit me pagat më të larta në vend, funksionarët publik, të shfrytëzojnë edhe për qëllime personale makinat zyrtare kjo është përdhosje dhe përbuzje e pashembullt e resurseve publike shtetërore që janë asete me vlerë të lartë nga qytetarët.
Qeveria e kaluar ishte varfër për rritje pagash, e pasur për aventura me vetura luksoze, 5 milion euro patën shpenzuar vetëm për makina –
Në kohën më të vështirë shëndetësore e ekonomike, kur qytetarët ishin të izoluar e shumica të përjashtuar nga vendet e punës, luksi qeveritar nuk kishte të ndalur duke shfrytëzuar makina me qira në vlerë prej 5 milionë euro për vetëm tre vite. Në periudhën nga viti 2018 deri në 2021. Ky ishte skandali i radhës që dëshmoi se qeverisjet e kaluara nuk e kishin çështje parësore hallin e qytetarëve por esenciale për ata kishte qenë që të keqpërdorin buxhetin e shtetit dhe të shfrytëzonin çdo mundësi për vetë-kënaqësi.
Kur të punësuarit në arsim kërkonin paga më të larta nxënësit ngelnin me javë të tëra pa mësim sepse aq gjatë negociohej e arsyetoheshin nga MASH se nuk kishte buxhet shteti, gjithkush kërkonte paga më të larta, mirëpo ish qeveritarët nuk nxitonin të “gabonin”, pasi pastaj nuk do ngelnin para në buxhet për të marrë makina me qira.
Periudha e viti 2020 dhe 2021 ishin më të vështirat për qytetarët e RMV-së atëherë kur edhe vendi u fut në krizë të shumëfish, por nuk ishte e vështirë edhe për ish pushtetarët pasi ata vetëm për makina luksoze gjatë kësaj periudhe kishin shpenzuar 5 milionë euro. Shpenzime të larta e të panevojshme të cilat do të kishte qenë e udhës që në mes të krizë të destinoheshin në pako për të ndihmuar sa më shumë qytetarët. Por, kështu veprojnë politikanët e pushtetarët që janë aty për t’i ndihmuar qytetarët por jo edhe ata që janë aty për t’i ndihmuar vetës së tyre.
Nga Anti-Korrupsioni kishin zbuluar se Qeveria për tre vite kishte shpenzuar pesë milion euro për Lizing(qira) operativ për vetura të klasit të lartë të cilat kanë kushtuar deri në 39 mijë euro. “Në periudhën prej vitit 2018 deri në vitin 2021 janë lidhur marrëveshje në vlerë të përgjithshme prej së paku 307.750.153 denarë ose rreth 5 milion euro”, pati deklaruar Shemshi Sallai, nga Anti-Korrupsioni.
Keq menaxhimi i buxhetit duke shpenzuar miliona euro për vetura luksoze, mungesë e përgjegjësisë për rastet më tragjike në vend, janë dëshmitë se ai pushtet nuk ishte për t’i ndihmuar qytetarëve apo për t’ia lehtësuar jetën këta vetëm se ia vështirësonte edhe më shumë. Pastaj çuditemi se si ka mundësi që vendi vetëm të thellohet sa më shumë në krizën e shumëfish, por bindemi kur kuptojmë që në situata krize nuk mendohet si të dilet nga kriza e të tejkalohet sa më lehtë e shpejtë, fatkeqësisht veprohet sikurse vendi të jetë në kushte admiruese ekonomike sikurse gjithçka në rregull funksion. Vetëm makinat luksoze mungonin për të kompletuar shtetin jo normal që vepron në shtim të luksit edhe në kushte krize.
Këto veprime jo të duhura duhet të shërbejnë si mësim për qeverinë aktuale që të ketë kujdes në menaxhimin e buxhetit të shtetit, vëmendje maksimale në shfrytëzimin e gjitha resurseve publike, sepse kur pasuria e shtetit keqpërdoret është përbuzje e mundit dhe kontributit të qytetarëve.