Politikani i ri shqiptar në diasporë, Fidan Limani, ka reaguar me tone të forta zhgënjimi ndaj vendimit të kreut të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, për t’u ndarë nga koalicioni qeveritar VLEN dhe për të garuar me lista të veçanta në zgjedhjet lokale.
Në një reagim emocional në rrjetet sociale, Limani shkruan: “Te pritem si shpresë, ike pa lamtumirë. Sot më shumë se kurrë, njerëzit kanë nevojë për qëndrueshmëri.” Ai e cilëson të papranueshëm largimin nga një koalicion që sipas tij ishte ende i ri, por i suksesshëm dhe që duhej të provohej edhe në zgjedhjet lokale si një forcë e bashkuar.
– Reklamim –
“Nuk është heroizëm të largohesh kur përgjegjësia troket në derë. Është lehtë të dalësh nga VLENI, por është shumë më e vështirë të qëndrosh, të përballesh dhe të punosh me njerëzit që të besuan,” thekson Limani, duke lënë të kuptohet se vendimi i Taravarit përbën më shumë një shmangie nga përgjegjësia sesa një lëvizje parimore.
Limani, i cili thotë se ka ndjekur nga afër zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut, thekson se fushata e BDI-së dhe retorika e liderit të saj, Ali Ahmeti, kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e numrit të deputetëve të VMRO-së dhe Hristijan Mickoskit, duke shkaktuar dëme afatgjata për interesat shqiptare në vend.
“Politika është shërbim – jo strategji,” përfundon Limani, duke e cilësuar këtë moment si një pikë kthese për reflektim për të gjithë ata që synojnë të ndërtojnë një të ardhme më të ndershme dhe të drejtë.