Ish-deputeti i Kosovës, Haxhi Shala, me leje të Gjykatës Speciale ka ardhur në Kosovë me rastin e vdekjes së babait të tij.
Djali i Shalës, Edmondi, ka ndarë në llogarinë e tij në Facebook një fotografi ku shihet ish-deputeti teksa qëndron pranë varrit të babait, që vdiq pak ditë më parë.
Edmond Shala ka thënë se babai i tij po mbahet padrejtësisht në Hagë, teksa ka shtuar se luten për drejtësi dhe që Haxhi Shala të kthehet në mesin e familjarëve.
“Jeta na ka vënë përballë dhimbjeve të papërshkrueshme. Sot po shkruaj për babain tim, i cili humbi të atin e tij, gjyshin tim të dashur, një njeri i ndershëm dhe i palodhur! Ai tani po mbahet padrejtësisht në burgjet e Hagës, larg familjes së tij, larg dashurisë së tij. Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë vuajtjen e një familjeje kur një njeri i pafajshëm mbahet larg për kaq shumë kohë. Por ne nuk humbasim shpresën. Lutemi për drejtësi dhe për një ditë të ndriçuar, kur ai do të kthehet në mesin tonë, ashtu siç e meriton. Zemrat tona janë të thyera, por dashuria jonë për të mbetet e pathyeshme”, shkroi ai.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara kanë marrë vendim që Haxhi Shalës t’i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë.
Në arsyetimin e vendimit, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar që i akuzuari të arratiset, të pengojë administrimin e drejtësisë, apo të kryejë krime tjera.