Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, nuk u përgjigj se cilët do të jenë hapat e koalicionit “VLEN” pas skadimit të afatit 6 muajsh që e dhanë për progres në procesin eurointegrues përmes miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Mexhiti këtë afat nuk e përmendi pasi që dje kryeministri Mickoski tha se ai nuk punon me afate dhe ultimatume. Megjithatë Mexhiti theksoi se po punohet me partnerët ndërkombëtarë për gjetjen e zgjidhjes.
Tani për tani nuk dihet nëse do të ketë ndryshim të qëndrimit, përkatësisht afatit të cilin e vendosi VLEN për ndryshimet kushtetuese. Mickoski dje tha se ai votat në zgjedhje nuk i ka marrë në bazë të afateve dhe ultimatumeve, por në bazë të premtimeve, ndërsa partia e tij është e qartë për këtë çështje.
Nuk është e qartë nëse dhe çfarë hapash do të ndërmarrë VLEN pas afatit 6 muajsh, ndërsa në ndërkohë Mexhiti paralajmëroi se shumica parlamentare do të rritet.
Dje në DailyClick zëvendëskryeministri nga radhët e VLEN, Arben Fetai tha se kryeministri në 6 muajt e parë do të zbulojë modelin për zgjidhjen e ndryshimeve kushtetuese. Në lojë është edhe ideja për ndryshime kushtetuese me prapaveprim, përkatësisht ata të votohen tani, ndërsa të hyjnë në fuqi pasi që vendi të anëtarësohet në BE. Megjithatë, Sofja zyrtare dhe Brukseli theksuan se nuk do të ketë ndryshim të rregullave për procesin negociues të vendit.