Mediat në Serbi janë vënë në delir pas emërimit të Kingsley Wilson si Zëvendës Sekretare për Shtyp në Departamentin amerikan të Mbrojtjes. Ky entuziazëm ka shpërthyer si pasojë e një deklarate të saj në vitin 2023, duke e parë si sinjal potencial të mbështetjes amerikane për politikën ekspasioniste serbe në lidhje me Kosovën.
Ajo ka tërhequr vëmendjen e mediave serbe pas një postimi në rrjetet sociale të bërë para dy vitesh, në në të cilin kundërshtonte politikën e Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës dhe injoronte historinë e dhunshme të luftërave jugosllave.
Në një postim më 9 dhjetor 2023, ajo shkroi: “Ta bëjmë Kosovën sërish pjesë të Serbisë”, duke përforcuar perceptimin e shumë serbëve se ndoshta administrata e Donald Trumpit mund të jetë një aleate e mundshme e interesave të Serbisë.
Disa media në Beograd e kanë paraqitur këtë zhvillim si një sinjal se politika amerikane ndaj Kosovës mund të ndryshojë. Përmes titujve bombastikë, mediat serbe e kanë interpretuar një emërim administrativ si një ngjarje me peshë gjeopolitike, duke i dhënë një zyrtareje për shtyp një rol që nuk e ka as vetë Sekretari i Mbrojtjes.