Banorët e Koliçanit të Poshtëm gjatë ditës së djeshme kishin takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Taravari, përcjell TV21. Banorët janë të vendosur që mos të lejojnë ndërtimin e paneleve fotovoltaike në një pjesë të fshatit. Thonë se kompania ka leje vetëm nga komuna, por jo edhe pëlqimin e ministrive kompetente.
“Ne sërish do t’i themi investitorit. Të mos provojë të vijë sërish. Ne kemi vendosur. Me “mur të gjallë” do ta mbrojnë këta qytetarë. Ai ka leje nga komuna, nuk na tregoi nëse ka nga Inspektorati i Ndërtimit. Neve duhet të na tregojë nëse të gjitha ministritë i kanë dhënë pëlqim”, tha një banor.
“A i kanë dhënë para kryetarit të komunës apo jo. Si mundet ai kryetar nga stacioni në Draçevë, 3 në detyrë, 30 të vijnë të na frikësojnë këtu, ne nuk frikësohemi. ne jemi të vendosur për ta mbrojtur, është e jona, e Koliçanit të Poshtëm. Kush e ka miratuar investitorin, le të japin penale, le ta dënojnë komunën, le t’i japin vend tjetër. Neve nuk na intereson ajo”, deklaroi një banor.
“Ai le të tregojë a e ka njoftuar së paku një banor. Të gjithë procedurën e ka bërë në mënyrë fiktive. E ka publikuar, ku ka publikuar nuk e dimë as ne, e ka rrethuar të gjithë popullatën dhe tani do të ndërtojë diçka kundër vullnetit të të gjithë neve”, u shpreh një banor tjetër.
Ministri Taravari tha se i ka dëgjuar kërkesat e banorëve dhe se të njëjtat do t’i shqyrtojë në qeveri.