Nga Fatjona Mejdini
Kalimi në heshtje i përvjetorit të dhjetë të takimeve ndërqeveritare Shqipëri-Kosovë këtë vit nënvizon një marrëdhënie në pikën më të ulët historike – por se kush është fajtor për këtë situatë mbetet e diskutueshme.
Në verën e vitit 2023, Shqipëria dhe Kosova kishin planifikuar të zhvillonin takimin e tyre të nëntë ndërqeveritar në qytetin kufitar të Kosovës, Gjakovë.
Agjenda për takimin e qershorit 2023 përfshinte nënshkrimin e disa marrëveshjeve të reja dypalëshe në sektorë të ndryshëm. Tre muaj para takimit, institucionet nga të dy vendet kishin punuar pa pushim për të finalizuar këto marrëveshje, duke u siguruar që të ishin gati për nënshkrimin ceremonial.
Takimet e përbashkëta mes dy vendeve, që ndajnë të njëjtën etni, nisën në janar të vitit 2014, kur Edi Rama sapo ishte zgjedhur kryeministër i Shqipërisë dhe Hashim Thaçi ishte lideri i qeverisë së Kosovës.
Prizreni, gjithashtu një qytet kufitar, u zgjodh për rëndësinë e tij simbolike, duke qenë se përfaqëson përpjekjet historike të shqiptarëve që nga shekulli i 19-të për t’u bashkuar.
Megjithatë, takimi i parë i përbashkët shkoi përtej simbolikës, dhe u nënshkrua një deklaratë e partneritetit strategjik.
Takimet e përbashkëta më pas u bënë një traditë vjetore, secila e shënuar nga nënshkrimi i marrëveshjeve, protokolleve dhe memorandumeve që synonin bashkimin praktik të sektorëve të ndryshëm ekonomikë, socialë dhe kulturorë në të dy vendet.
Tradita e gjatë duket se ishte e destinuar të vazhdonte edhe në vitin 2023. Në Gjakovë ishte shtruar qilimi i kuq ,flamuri me shqiponjën dykrenare dhe hapur banderola që shkruante “Të Bashkuar në Gjakovë”.
Megjithatë, vetëm një ditë para mbledhjes, më 13 qershor, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi papritmas – në mënyrë të njëanshme – se takimi i përbashkët nuk do të zhvillohej.
Rama përmendi marrëdhëniet e tensionuara mes qeverisë së Kosovës dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë, të përkeqësuara nga tensionet në veri të Kosovës, si arsye.
Në vend të eventit të planifikuar, Rama propozoi një mbledhje urgjente në Gjakovë të kufizuar në ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të të dy vendeve. Ky propozim u refuzua menjëherë nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Që nga ky anulim, asnjë takim i përbashkët qeveritar nuk është ri-skeduluar, edhe pse viti 2024 shënon dhjetëvjetorin e asaj që ishte bërë një traditë.
Një moment historik po kalon në heshtje, pa asnjë njohje apo përkujtim.
Debati mbi përgjegjësinë e udhëheqësve
Megjithëse nuk është caktuar asnjë takim i ardhshëm për këtë vit, si Kryeministri i Shqipërisë ashtu edhe ai i Kosovës refuzojnë të pranojnë se ngërçi në mbajtjen e këtyre ngjarjeve të përbashkëta është i përhershëm.
Një zëdhënëse e Ramës i kujtoi BIRN-it se, që nga viti 2014, janë mbajtur tetë takime të përbashkëta ndërmjet dy qeverive, duke theksuar se “frekuenca e këtyre takimeve nuk është përcaktuar nga palët, kështu që nuk mund të konsiderohet [që ka] një pezullim të takimeve”.
Ndërkohë, një zëdhënës i Kurtit i tha BIRN-it se planet për një takim të ardhshëm të përbashkët mes dy qeverive ishin penguar nga përgatitjet e Kosovës për zgjedhjet, të cilat priten në fillim të vitit të ardhshëm.
“Pas zgjedhjeve dhe formimit të qeverisë së re [në Kosovë], mund të diskutojmë marrëveshjet e reja dhe gjithashtu të organizojmë takimin e dhjetë jubile mes dy qeverive,” tha ai.
Megjithatë, shumë besojnë se pezullimi i takimeve ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk është surprizë, duke pasur parasysh marrëdhëniet e tensionuara midis Edi Ramës dhe Albin Kurtit.
Analistët në të dy anët e kufirit nuk janë optimistë se tradita do të rifillojë, duke vlerësuar se mosmarrëveshjet e tyre po bëhen më të vështira për t’u kapërcyer, jo më të lehta.
Por, ndërsa të gjithë bien dakord që këto mosmarrëveshje kanë ndikuar në bashkëpunimin ndërqeveritar, ata kanë mendime të ndryshme se kush është përgjegjës.
Disa e shohin dëshirën e Ramës për t’u pozicionuar si një ‘aktor i pavarur dhe ndërmjetësues’, kundrejt qeverisë së Kosovës si pengesën kryesore.
Në ditët përpara takimit të planifikuar në Gjakovë vitin e kaluar, presioni ndërkombëtar ndaj Kurtit ishte intensifikuar, pasi protestat serbe shpërthyen në veriun e Kosovës për shkak të instalimit të kryetarëve të rinj shqiptarë në katër komuna me shumicë serbe. Kjo pas zgjedhjeve lokale që shumica e serbëve i bojkotuan.
Në një përpjekje për të ndërmjetësuar, Rama i propozoi një statut për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë – një çështje shumë e diskutuar – presidentit francez Macron dhe kancelarin gjerman Scholz.
Rama pretendoi se ekspertë amerikanë dhe evropianë ishin konsultuar për draftin, i cili mund të ndihmonte në zgjidhjen e tensionit. Megjithatë, Kosova refuzoi të diskutojë propozimin, duke e penguar që drafti të ecte përpara.
Besnik Krasniqi, një gazetar në Kosovë, tha se anulimi i njëanshëm nga Rama i takimit në qershor 2023 kishte lënë një shije të hidhur në Kosovë.
Ai argumenton se Kurti kërkoi me të drejtë të rikthente sovranitetin e Kosovës në veri, dhe se Rama kishte shkaktuar një ndjenjë të fortë pakënaqësie duke “sanksionuar” Kosovën kur anuloi takimin e planifikuar të dy qeverive.
“Situata është pa shpresë. Rama e ka bërë të qartë që qëndrimi i tij ndaj Kosovës është në përputhje me atë të komunitetit euro-atlantik, duke minuar kështu marrëdhëniet mes vendeve tona,” tha ai. Ai beson se zgjidhja qëndron në mbështetjen më të plotë të Shqipërisë ndaj Kosovës në dialogun e saj me Serbinë.
Një përçarje më e vjetër me Ramën rrjedh gjithashtu nga investimi i tij në nismën e tregtisë së lirë rajonale, njohur si “Ballkani i Hapur”, të cilën qeveria e Kurtit e kundërshtoi.
“Rama dëmtoi Kosovën duke u bërë pjesë e ‘boshtit të së keqes’, duke mbështetur Ballkanin e Hapur dhe duke kritikuar Kurtin në prani të presidentit serb Aleksandar Vuçiç për mos pjesëmarrjen në të,” tha analisti Fidan Ukaj nga Kosova.
Megjithatë, Gerta Zaimi, një analiste në Tiranë, i lidh marrëdhëniet e tensionuara më shumë me agjendën politike të partisë qeverisëse të Kurtit, Vetëvendosje.
“Kurti ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë duke përdorur gjithashtu mekanizmat e Vetëvendosjes në një mënyrë që ka dëmtuar deri diku marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë,” tha ajo.
Arben Ahmeti, një drejtor televizioni në Kosovë, gjithashtu beson se ambicia e Kurtit për të zgjeruar ndikimin e tij politik në Shqipëri kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet – gjë që është në interesin e Kurtit.
“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk kanë qenë kurrë më të këqija. Por Kurtit nuk i duhet Rama si aleat. Për agjendën e tij politike, ai në fakt përfiton duke e pasur Ramën si rival,” sugjeroi ai.
Koha për një qasje të re
Në paraqitjet e tyre publike, Rama dhe Kurti kanë qenë të kujdesshëm për të theksuar bashkëpunimin e tyre më shumë sesa dallimet.
Të dy qeveritë kanë bërë gjithashtu përpjekje për të ruajtur bashkëpunimin, pavarësisht mungesës së ceremonive formale që e shoqërojnë atë.
Pas anulimit të takimit të përbashkët në Gjakovë, marrëveshjet e planifikuara për t’u nënshkruar atje u nënshkruan në fakt mes institucioneve atë korrik, larg vëmendjes së mediave.
Pas marrjes së detyrës nga Kurti në Kosovë në vitin 2021, të dy qeveritë ranë dakord të krijonin një “sekretariat ndërqeveritar” për të siguruar një institucion të dedikuar për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve dypalëshe.
Ky sekretariat, i vendosur në ndërtesat e kryeministrive të të dy vendeve, i tha BIRN se që kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, gjithsej janë nënshkruar 185 marrëveshje, memorandume mirëkuptimi dhe protokolle zbatimi, duke përfshirë ato të finalizuara në korrik 2023. Nga këto 185, 89 u nënshkruan gjatë tetë takimeve të përbashkëta qeveritare.
Për sa i përket zbatimit, sekretariati i ka përqendruar përpjekjet e tij në shqyrtimin e 127 marrëveshjeve të nënshkruara deri në vitin 2021. Sekretariati raportoi se nga këto 127 marrëveshje, 75 janë zbatuar me sukses edhe pa probleme ndërsa pjesa tjetër është në faza të ndryshme të progresit.
Me kalimin e viteve, janë zbatuar nisma të rëndësishme, duke përfshirë lëvizjen e lirë të njerëzve në të dy anët e kufirit, hapjen e zyrave doganore të Kosovës në Portin e Durrësit të Shqipërisë, njohjen e ndërsjellë të kontributeve të sigurimeve shoqërore, unifikimin e procedurave të aplikimit të studentëve për universitetet dhe më shumë.
Megjithatë, disa nisma kryesore janë bllokuar, si unifikimi doganor mes dy vendeve, që do ti hapte rrugën tregtisë së lirë.
Pavarësisht një memorandumi mirëkuptimi midis dy ministrive të financave dhe krijimit të një plani nga një grup pune i përbashkët, diskutimet për vënien në praktikë të kësaj nisme nuk kanë bërë përparim.
Zbatimi i suksesshëm i këtyre marrëveshjeve është shpesh i vënë në dyshim nga analistët.
Por ata pranojnë se takimet e përbashkëta qeveritare kanë qenë një mekanizëm i rëndësishëm për t’i shtyrë ato përpara dhe për të simbolizuar unitetin.
Por disa besojnë se koha e takimeve të përbashkëta qeveritare ka kaluar dhe se duhen gjetur qasje të reja për të bërë bashkëpunimin më domethënës dhe më të qëndrueshëm ndaj luhatjeve politike dhe mosmarrëveshjeve.
Valon Murati, kryetar i Lëvizjes për Bashkim në Kosovë, që advokon për një referendum për bashkimin me Shqipërinë, i tha BIRN se është koha për të krijuar mekanizma të rinj që do ta çonin bashkëpunimin në nivelin tjetër të integrimit, duke ndjekur modelin e vendeve të Beneluksit ose të vetë Bashkimit Evropian.
“Është thelbësore të shkojmë përtej asaj që njihej si një partneritet strategjik, i karakterizuar nga takime dhe marrëveshje të përbashkëta, dhe të kalojmë drejt integrimit duke krijuar mekanizma të përbashkët administrativë dhe legjislativë për të menaxhuar bashkëpunimin dhe integrimin,” tha ai.
Indrit Vokshi, një analist në Tiranë, dëshiron një Pakt Kombëtar të pranuar nga palët, për të parandaluar që dy vendet të veprojnë mbi agjenda individuale si rezultat i spontaneitetit politik afatshkurtër.
“Ky pakt duhet të përcaktojë prioritetet politike për dekadat e ardhshme. Në thelb të tij duhet të harmonizohen interesat kombëtare të shqiptarëve në rajon me platformat e aleatëve të tyre perëndimorë,” tha ai.
Ndërkohë, përpara se të eksplorojnë modelin më të mirë për të harmonizuar interesat dhe promovuar integrimin, Rama dhe Kurti duhet të përballen me sfidën e ruajtjes së asaj që është krijuar deri tani.