Koreja e Veriut u përpoq t’i shfaqë muskujt duke e testuar një raketë të re balistike ndërkontinentale (ICBM) një ditë më parë. Mediat shtetërore të Veriut raportuan të premten se raketa e testuar ishte me lëndë djegëse të ngurtë, Hwasong-19.
Raketa e lëshuar të enjten fluturoi më lartë se çdo raketë koreanoveriore deri më sot, sipas Koresë së Veriut, por edhe sipas ushtrive të Koresë së Jugut dhe Japonisë, të cilat e gjurmuan fluturimin e saj drejt hapësirës, para se ajo të binte në oqean mes Japonisë dhe Rusisë.
Agjencia shtetërore të lajmeve e Veriut, KCNA e lartësoi atë si “raketa më e madhe strategjike në botë”.
Derisa vazhdon të ketë dyshime për aftësitë e Koresë së Veriut për ta drejtuar një raketë të tillë dhe për ta mbrojtur kokën e saj bërthamore teksa ajo futet në atmosferë, Hwasong-19, sikurse raketat më të fundit ICBM të Koresë së Veriut, dëshmoi se mund ta arrijë cakun pothuajse kudo në Shtetet e Bashkuara.