Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka gjetur të premten në Alaskë pjesët e një aeroplani të vogël mbi detin e ngrirë, pasi ishte zhdukur të enjten, ndërsa 10 personat në bord janë gjetur të vdekur, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Dy notarë shpëtues nga Roja Bregdetare që arritën në vendin e rrëzimit të aeroplanit kishin parë 3 trupa brenda fillimisht, dhe 7 tjerë mendohet se janë në brendësi të aeroplanit të rrëzuar, ka njoftuar Mike Salerno, zëdhënës i Rojës Bregdetare gjatë konferencës për media.
“Fatkeqësisht, nuk duket të jetë përplasje me të mbijetuar”, ka deklaruar Salerno.
Moti i vështirë ka vonuar përpjekjet për kërkim, dhe mund të marrë orë ose ditë deri të largohen trupat nga vendi i largët, kanë deklaruar zyrtarët.
Vendi i rrëzimit u zbulua diku në Nome, Alaskë, ka njoftuar Roja Bregdetare në një postim që përfshinte një fotografi të aeroplanit të rrëzuar dhe dy anëtarë të ekipit të shpëtimit.
Aeroplani Cessna 208B Grand Caravan me pilotin dhe nëntë pasagjerë në bord është raportuar i zhdukur pasi kishte nisur fluturimin nga Unalakleet rreth orës 16:00 në kohën lokale të enjten.
Aeroplani humbi nga radari 19 kilometra larg bregdetit mbi akujt e ujërave të Norton Soundit, pjesë e detit të Beringut, sipas Rojës Bregdetare.
Benjamin McIntyre-Coble, oficer në Rojën Bregdetare në Alaskë, ka deklaruar se aeroplani ka pësuar humbje të menjëhershme të lartësisë dhe shpejtësisë, sipas të dhënave nga radari, por nuk dha detaje se çfarë e ka shkaktuar atë.
Incidenti ndodhi në kohën kur siguria ajrore në SHBA është nën vëzhgim të rritur. Hetuesit e Komitetit të Sigurisë së Transportit Kombëtar në Alaskë janë duke hetuar dy aksidente të mëdha në ditët e fundit: aksidenti në ajër në mes të aeroplanit me pasagjerë dhe helikopterit Black Hawk të ushtrisë amerikane në Washington D.C, që ka lënë të vdekur më shumë se 67 persona, dhe aeroplani mjekësor që u rrëzua në Philadelphia dhe la të vdekur shtatë persona.