Garë e ngushtë për Stambollin: Përçarja e opozitës i jep shpresë Erdoganit për rikthim

Mungesa e unitetit mes partive opozitare e ka forcuar shpresën e presidentit të Turqisë, Rexhep Erdogan, që partia e tij AK të mund ta rimarrë kontrollin e Stambollit gjatë zgjedhjeve lokale të këtij muaji, thonë autorët e anketave, pas fitores së tij në zgjedhjet presidenciale vitin e kaluar.

Rezultati i zgjedhjeve të 31 marsit në Stamboll, qyteti më i madh i Turqisë, shihet si kyç për përcaktimin e fatit politik të kryetarit të saj, Ekrem Imamoglu, 52 vjeç, i përfolur për kohë të gjatë si kryetar potencial i partisë opozitare CHP dhe potencialisht si president i ardhshëm, raporton agjencia “Reuters”.

Para pesë vjetëve, Imamoglu dhe CHP-ja sekulariste i kishin dhënë Erdoganit një goditje të rëndë në zgjedhjet lokale duke fituar në Stamboll, vendlindje e Erdoganit, dhe në kryeqytetin Ankara pas 25 vjetëve pushtet të AKP-së dhe paraardhësve të saj islamistë.

Megjithatë, Erdogani, që ka mbizotëruar në politikën turke për gati një çerek shekulli, kaloi një sfidë të fortë opozitare në majin e kaluar, duke fituar mandat të ri si president, ndërsa AKP-ja dhe aleatët e saj e siguruan përsëri shumicën parlamentare.

Aleanca që e kishte ndihmuar Imamoglun drejt fitores në Stamboll tashmë ka kolapsuar dhe aleatët e tij nacionalistë dhe pro-kurdë do të garojnë në këto zgjedhje me kandidatët e tyre.

Sipas anketave të zhvilluara rishtazi, në Stamboll pritet garë e ngushtë. Anketa e MAK-ut tregon se përkrahja për Imamoglun është 41,5 për qind, vetëm për 1,5 për qind më shumë se për kandidatin e AKP-së, Murat Kurum. Sipas anketuesit Murat Gezici, Kurumi ka 44,1 për qind përkrahje, ndërsa Imamoglu 43,5 për qind.

“Gara është fyt më fyt, në tehun e briskut” – tha Ozer Sencar, drejtor i kompanisë për anketa “Metropoll”, duke e theksuar rëndësinë e Stambollit për politikën kombëtare të së ardhmes.

“Nëse Ekrem Imamoglu i fiton zgjedhjet në Stamboll dhe këto zgjedhje nuk anulohen nga ankesat në ndonjë mënyrë, ai do të bëhet president [i Turqisë] më 2028” – tha ai.

Sidoqoftë, shpresa e Imamoglut në Stamboll është dëmtuar nga vendimi i partisë pro-kurde DEM dhe partisë nacionaliste turke IYI, votuesit e të cilave e kishin përkrahur atë më 2019, që të garojnë me kandidatët e tyre.

“Dëmi që partitë IYI dhe DEM do t’ia shkaktojnë Ekrem Imamoglut duhet të merret seriozisht” – tha Sencar-i.

Sipas anketës më të re të kompanisë “Metropoll”, përkrahja për Imamoglun në mesin e votuesve kurdë kishte rënë nga 35 për qind, sa ishte në janar, në 32 për qind muajin e kaluar. Përkrahja në mesin e votuesve të partisë IYI i kishte rënë nga 64 për qind në 45 për qind.

“Rreziku më i madh për opozitën në Stamboll është që po bëhet më e copëtuar se kurrë më parë” – tha Ertan Aksoy, drejtor i kompanisë “Aksoy Research”, sipas anketës së të cilës para 40 ditëve tregohej se Imamoglu kishte 3 – 4 për qind më shumë përkrahje se rivali i tij nga AKP-ja.

Imamoglu e ka akuzuar qeverinë qendrore për pengimin e ofrimit të shërbimeve të tij në Stamboll nga viti 2019. Fushata tani është e përqendruar në zgjidhjen e problemeve të trafikut në qytetin me 16 milionë banorë dhe në nevojën për transformim urban, duke e marrë parasysh rrezikun për tërmete në rajon.

Gjatë fushatës, Erdogani i ka vënë në fokusin e fjalimeve të tij vështirësitë e opozitës.

“Asnjë ndryshim nuk ka arritur që ta shërojë dërrmimin politik të CHP-së. Kushdo që vjen e shkon, vetëm i bën gjërat më keq” – tha ai në një tubim këtë javë.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

313 amendamente për raportin për Maqedoninë! Pjesa më e madhe e tyre nga eurodeputetët bullgarë dhe grekë

313 amendamente janë dorëzuar për propozim-tekstin e raportuesit për Maqedoninë në Parlamentin Europian, Tomas Vajc. Pjesa më e madhe vijnë nga eurodeputetë bullgarë dhe...

Shtyhet seanca konstituive, Vetëvendosje kërkon marrëveshje politike

Ka dështuar sërish seanca për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Deputeti Glauk Konjufca ka kërkuar kohë shtesë, pasi siç deklaroi ai partitë politike...

Paris Guri i LDK-së ironizon: E votoj, veç nëse e propozojnë Agim Bahtirin

Deputetët kanë filluar të mblidhen për t’i zgjedhur kreun e Kuvendit dhe katër nënkryetarët.Paris Guri i Lidhjes Demokratike të Kosovës është pyetur nga gazetarët...

Afrim Gashi për vdekjen Papa Françesku: Përbën një humbje të thellë për mbarë njerëzimin-Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!

Ndarja nga jeta e Papa Françeskut, përbën një humbje të thellë për mbarë njerëzimin. Si një udhëheqës shpirtëror i kohës sonë, ai mishëroi parimet...

Ali Ahmeti në konakun e ish komandantit të UÇK-së Sahit Jashari

Familja heroike e Sala e Hamit Jasharit, i bën konak liderit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti, ku e pritën udhëhqësit e...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu