Në fjalimin e përbashkët të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është folur edhe për Kosovën. Rama ka thënë se Kosova nuk gjen dot mik më të mirë sesa Turqinë dhe Erdoganin. Presidenti turk, pas Shqipërisë do ta vizitojë Serbinë
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka përuruar një xhami të financuar nga Turqia në Tiranë gjatë një vizite të enjten në Shqipëri për rritjen e bashkëpunimit me aleatin e vet në NATO.
Lideri turk Erdogan gjithashtu i premtoi Shqipërisë një numër të paspecifikuar dronësh kamikazë për ta ndihmuar rritjen e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Erdogan u takua fillimisht me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në kryeqytetin e Shqipërisë, dhe pastaj me kryeministrin Edi Rama. Pas takimeve të zyrtarëve të lartë të të dyja vendeve, palët nënshkruan tri marrëveshje në fushën e arsimit dhe në atë të bujqësisë.
Erdogani tha se synon që vëllimin tregtar vjetor me Shqipërinë ta rrisë në 2 miliardë dollarë.
“I shohim nismat në fushën e tregtisë dhe investimeve si hapa që do ta rrisin mirëqenien e popujve. Ramë dakord të diversifikojmë investimet e ndërsjella, duke përfshirë sektorë novatorë”, ka thënë Erdogan në një konferencë të përbashkët me Ramën.
Turqia është ndër investitorët më të mëdhenj në Shqipëri, me rreth 3.7 miliardë euro, ndërsa më shumë se 15 mijë shqiptarë janë të punësuar nga 830 kompanitë turke që operojnë në Shqipëri.
Rama ka deklaruar se u pajtua me Erdoganin për më shumë investime të drejtpërdrejta nga ana turke në sektorin e turizmit në Shqipëri.
“Sot firmosëm disa marrëveshje. Më e mirëpritura është firmosja e marrëveshjes për Universitetin Teknik të Stambollit në Tiranë. Jemi shumë të interesuar dhe shumë të përmbushur sot në fuqizimin e ushtrisë së Shqipërisë dhe fuqizimin e kësaj marrëdhënieje në aspektin ushtarak”, ka thënë Rama.
Prej ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, kryeministri Rama e ka cilësuar Turqinë partner strategjik dhe ka deklaruar se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të arrijë në nivele të panjohura më parë.
Përurimi i xhamisë së Namazgjasë
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Erdogani mori pjesë edhe në përurimin e xhamisë së Namazgjasë, e cila është ndër më të mëdhatë në Ballkan.
Në lidhje me përurimin e saj, Erdogan ka thënë se xhamia “është dhuratë e popullit turk për vëllezërit dhe motrat shqiptare”.
“Ajo është xhamia më e madhe në Ballkan dhe do të jetë vendi ku do të lulëzojë ndenja e paqes dhe e solidaritetit”, u shpreh Erdogan.
Në shtator të këtij viti u bë publike një letër e KMSH-së, ku theksohej se ky institucion jep pajtimin që Xhamia e Namazgjasë të administrohet nëpërmjet një fondacioni, i cili do të jetë “autoriteti i vetëm në këtë aspekt” dhe do të ketë si qëllim të veçantë të tij “marrjen përsipër të menaxhimit, administrimit, funksionimit dhe përdorimit pa afat të xhamisë, si dhe të kompleksit përreth saj”.
Ndërtimi i xhamisë nisi në vitin 2015 dhe themeli u vendos nga Erdogani, i cili pati thënë asokohe se organizata FETO ka strukturat e saj edhe në Shqipëri dhe se u kishte kërkuar krerëve të institucioneve “eliminimin” e tyre.
Të enjten, ai tha se me Ramën diskutoi edhe çështjen e luftës së përbashkët kundër organizatave terroriste “veçanërisht kundër FETO-s”.
“Shpresojmë që ta vazhdojmë luftën tonë kundër organizatave terroriste në mënyrë efektive përmes vendimeve që kemi marrë sot”, ka thënë Erdogan.
Xhamia e Namazgjasë ka një sipërfaqe prej 10.000 metrash katrorë dhe ka kapacitet për 5.000 besimtarë.
Pjesë e saj janë edhe bibliotekat, qendra kulturore, parkingu, kursi i librit të shenjtë, Kuranit, salla e ekspozitave, mensa, salla e konferencave etj.
Rama: Kosova nuk gjen mik më të mirë sesa Turqia
Në fjalimin e përbashkët u disktua edhe për Kosovën.
Kryeministri Rama ka thënë se Kosova nuk gjen dot mik më të mirë sesa Turqinë dhe Erdoganin.
“Pas kësaj vizite, presidenti do të niset në Beograd. E sjell këtë në vëmendje për një fakt historik. Kur Erdogani ka qenë kryeministër, Turqia e ka njohur e para Kosovën. Ka qenë një njohje në kohë reale, në sinkron me Parlamentin e Kosovës. Një mik të padiskutueshëm në të gjitha ditët si Turqia dhe presidenti Erdogan, Republika e Kosovës s’gjen dot asgjëkund”, ka thënë Rama.
Pas Shqipërisë, Erdogani do ta vizitojë Serbinë. (REL)