Një numër dronësh të paidentifikuar janë parë mbi tri baza ajrore amerikane në Britani, ka konfirmuar Forca Ajrore e Shteteve të Bashkuara (USAF).
Dronët, të cilët janë parë mes të mërkurës dhe të premtes, ishin “sisteme të vogla ajrore pa pilot” të pikasur mbi “RAF Lakenheath” dhe “RAF Mildenhall”, në Suffolk, dhe “RAF Feltwell” në qarkun fqinj të Norfolk, raporton BBC.
USAF, e cila përdor bazat, ka thënë se është ende e paqartë nëse dronët konsiderohen armiqësorë.
Ajo gjithashtu nuk pranoi të komentonte nëse ishte përdorur ndonjë mekanizëm mbrojtës, por ka shtuar se ruante “të drejtën për të mbrojtur” instalimet.