Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell ka takuar dje në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York liderët e Ballkanit Perëndimor, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Pjesë e këtij takimi nga Kosova ishte presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Në njoftimin e BE-së thuhet se Borrell theksoi se Ballkani Perëndimor është pjesë integrale e së ardhmes ndërsa shtoi se udhëheqësit duhet të marrin vendime të guximshme dhe strategjike për të çuar para aspirtat e tyre evropiane.
Lexo edhe:
Drogë, para, telefona, armë – policia arrestoi mbrëmë dy persona në Podujevë
Kurti takohet në ShBA me homologun nga Islanda, i kërkon mbështetjen për anëtarësim në NATO
Seanca e sotme në Kuvend, pritet të votohen tri marrëveshje ndërkombëtare
Shefi i diplomacisë evropiane në këtë takim rikonfirmoi angazhimin e BE-së për të mbështetur Ballkanin Perëndimor në rrugën e tyre evropiane.
Komunikata e plotë e BE-së:
Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë/Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Josep Borrell priti në një takim jozyrtar me liderët e Ballkanit Perëndimor të mërkurën në Nju Jork, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Takimi vjetor pasqyron përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj partneritetit tonë me Ballkanin Perëndimor – shtetet tona anëtare të ardhshme. Ai shërben si një rast për shkëmbimin e pikëpamjeve për çështjet me interes të përbashkët, përtej zgjerimit, për çështjet e sigurisë dhe stabilitetit global.
Diskutimi u përqëndrua në sfidat e ngutshme gjeopolitike, veçanërisht ndikimin e dëmshëm të agresionit rus kundër Ukrainës dhe përpjekjet e Kinës për të zgjeruar ndikimin e saj ekonomik. Përfaqësuesi i Lartë Borrell dhe liderët e Ballkanit Perëndimor diskutuan rëndësinë e forcimit të qëndrueshmërisë, duke theksuar nevojën për harmonizim strategjik me Bashkimin Evropian për të ruajtur stabilitetin rajonal.
Përfaqësuesi i Lartë Borrell theksoi se Ballkani Perëndimor është një pjesë integrale e së ardhmes së Evropës. Ai theksoi rëndësinë dhe forcën e lidhjeve BE-Ballkani Perëndimor dhe përsëriti se anëtarësimi në BE është i arritshëm, me kusht që reformat kyçe të ndiqen me fokus të ri.
Takimi ishte një mundësi për të kujtuar nevojën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekzistuese dypalëshe. Përfaqësuesi i Lartë Borrell nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë të arritura përmes dialogut dhe kompromisit si hapa thelbësorë drejt integrimit në BE. Udhëheqësit duhet të marrin vendime të guximshme dhe strategjike për të çuar përpara aspiratat e tyre evropiane.
Borrell përfundoi takimin duke rikonfirmuar angazhimin e BE-së për të mbështetur Ballkanin Perëndimor në rrugën e tyre evropiane, duke theksuar se zgjerimi mbetet një prioritet kryesor për BE-në.