Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ka komentuar idenë e BDI-së për ndarje të Maqedonisë së Veriut në rajone, sipas modelit të Irlandës së Veriut dhe Belgjikës. Kasami thotë se BDI duke angazhuar ekspertë të shtrenjtë ndërkombëtarë, po harxhon paratë që fituan deri sa ishin në pushtet.
“Është ironi në vetvete BDI 20 vite ishte në pushtet le që nuk foli për kantonizim, rajonalizim por nuk e bëri hapin më të vogël drejt përfundimit të procesit të decentralizimit. Ata kanë humbur rrugën në oborrin e vetë ashtu si edhe në qeveri ata mendonin si të fitojnë para më shumë për vete dhe familjarët e tyre dhe sot ata para po i harxhojnë me ekspertë të shtrenjtë ndërkombëtarë, të cilët po mundohet të bëjnë PR se po bëjnë diçka”, tha Bilall Kasami.
BDI vazhdimisht ankohet se me formimin e Qeverisë VMRO-VLEN nuk u respektua vullneti i shqiptarëve, andaj kërkojnë që parimi fituesi me fituesin të rregullohet me ligj. Por Taravari thotë se është e kot pasi që sipas tij BDI më asnjëherë nuk do të fitojë në zgjedhje.
“Në parim për kështu ligje na duhet një konsensus i gjerë. Tash kur është BDI në opozitë, s’besoj se më fiton zgjedhje, kurrë s’do të ndodh të fitojë zgjedhje”, deklaroi Arben Taravari. Ndryshe tashmë BDI ka angazhuar ekspertë ndërkombëtar për gjetjen e zgjidhjes për, siç thonë, “mosrespektimin e vullnetit të votuesve” dhe po analizojnë dy modele të ndarjes së shtetit në rajone, atë të Belgjikës dhe Irlandës së Veriut.