Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, pritet që më 9 tetor të zhvillojë një bisedë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, raportuan mediat, ndërsa forcat izraelite intensifikuan ofensivën e tyre tokësore kundër militantëve të Hezbollahut, të mbështetur nga Irani, në jug të Libanit.
Raportet nga Reuters dhe Axios, të cilat citojnë burime që folën nën kushte anonimiteti, thanë se bisedimet do të përfshijnë edhe planet e mundshme për ta goditur Iranin si përgjigje ndaj sulmit me raketa, kryesisht joefektiv, të Teheranit ndaj Izraelit javën e kaluar, në shenjë hakmarrjeje për eliminimin e udhëheqësit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, nga Izraeli.
Këto bisedime do të jenë hera e parë që Biden dhe Netanyahu komunikojnë drejtpërdrejt që nga gushti.
Hezbollah, një grup dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe të jugut të Libanit, është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka futur në listën e zezë vetëm krahun e tij të armatosur, por jo partinë, e cila ka vende në parlamentin libanez.