Liridona Shala, bashkëshortja e Faton Hajrizit i cili u vra nga policia serbe, pas dyshimeve për vrasjen e një efektivi në Serbi, është shprehur se beson se ai është gjallë.
Ajo tha se do të bindet vetëm kur të shohë trupin e tij.
Shala shtoi se bashkë me familjen e Fatonit kanë kërkuar të shohin trupin e të ndjerit. Ajo shtoi se me Fatonin kishte bërë plane për të ardhmen.
“Prindërit e tij kanë kërkuar të shohin trupin. Duam të shohim trupin. Nga informacionet që kemi marrë, duhet 2 javë me pru trupin. Edhe ne atë jemi duke kërkuar. Përderisa kemi marrë vesh për vdekjen e tij, akoma nuk jemi duke besuar”.
“Unë mendoj që Fatoni është gjallë. Pa e parë trupin e tij nuk e besoj që ka vdekur. Mediat zakonisht janë duke postuar shumë foto. Besoj që edhe Fatoni gjatë rrugës, gjatë lodhjes, normale që fytyra i është lodhur. Si e kam parë trupin e tij, duket që ai është, por ndonjëherë mediat të bëjnë të dyshosh”, tha Shala në emisionin “Review” në Euronews Albania.