Mungesa e unitetit mes partive opozitare e ka forcuar shpresën e presidentit të Turqisë, Rexhep Erdogan, që partia e tij AK të mund ta rimarrë kontrollin e Stambollit gjatë zgjedhjeve lokale të këtij muaji, thonë autorët e anketave, pas fitores së tij në zgjedhjet presidenciale vitin e kaluar.
Rezultati i zgjedhjeve të 31 marsit në Stamboll, qyteti më i madh i Turqisë, shihet si kyç për përcaktimin e fatit politik të kryetarit të saj, Ekrem Imamoglu, 52 vjeç, i përfolur për kohë të gjatë si kryetar potencial i partisë opozitare CHP dhe potencialisht si president i ardhshëm, raporton agjencia “Reuters”.
Para pesë vjetëve, Imamoglu dhe CHP-ja sekulariste i kishin dhënë Erdoganit një goditje të rëndë në zgjedhjet lokale duke fituar në Stamboll, vendlindje e Erdoganit, dhe në kryeqytetin Ankara pas 25 vjetëve pushtet të AKP-së dhe paraardhësve të saj islamistë.
Megjithatë, Erdogani, që ka mbizotëruar në politikën turke për gati një çerek shekulli, kaloi një sfidë të fortë opozitare në majin e kaluar, duke fituar mandat të ri si president, ndërsa AKP-ja dhe aleatët e saj e siguruan përsëri shumicën parlamentare.
Aleanca që e kishte ndihmuar Imamoglun drejt fitores në Stamboll tashmë ka kolapsuar dhe aleatët e tij nacionalistë dhe pro-kurdë do të garojnë në këto zgjedhje me kandidatët e tyre.
Sipas anketave të zhvilluara rishtazi, në Stamboll pritet garë e ngushtë. Anketa e MAK-ut tregon se përkrahja për Imamoglun është 41,5 për qind, vetëm për 1,5 për qind më shumë se për kandidatin e AKP-së, Murat Kurum. Sipas anketuesit Murat Gezici, Kurumi ka 44,1 për qind përkrahje, ndërsa Imamoglu 43,5 për qind.
“Gara është fyt më fyt, në tehun e briskut” – tha Ozer Sencar, drejtor i kompanisë për anketa “Metropoll”, duke e theksuar rëndësinë e Stambollit për politikën kombëtare të së ardhmes.
“Nëse Ekrem Imamoglu i fiton zgjedhjet në Stamboll dhe këto zgjedhje nuk anulohen nga ankesat në ndonjë mënyrë, ai do të bëhet president [i Turqisë] më 2028” – tha ai.
Sidoqoftë, shpresa e Imamoglut në Stamboll është dëmtuar nga vendimi i partisë pro-kurde DEM dhe partisë nacionaliste turke IYI, votuesit e të cilave e kishin përkrahur atë më 2019, që të garojnë me kandidatët e tyre.
“Dëmi që partitë IYI dhe DEM do t’ia shkaktojnë Ekrem Imamoglut duhet të merret seriozisht” – tha Sencar-i.
Sipas anketës më të re të kompanisë “Metropoll”, përkrahja për Imamoglun në mesin e votuesve kurdë kishte rënë nga 35 për qind, sa ishte në janar, në 32 për qind muajin e kaluar. Përkrahja në mesin e votuesve të partisë IYI i kishte rënë nga 64 për qind në 45 për qind.
“Rreziku më i madh për opozitën në Stamboll është që po bëhet më e copëtuar se kurrë më parë” – tha Ertan Aksoy, drejtor i kompanisë “Aksoy Research”, sipas anketës së të cilës para 40 ditëve tregohej se Imamoglu kishte 3 – 4 për qind më shumë përkrahje se rivali i tij nga AKP-ja.
Imamoglu e ka akuzuar qeverinë qendrore për pengimin e ofrimit të shërbimeve të tij në Stamboll nga viti 2019. Fushata tani është e përqendruar në zgjidhjen e problemeve të trafikut në qytetin me 16 milionë banorë dhe në nevojën për transformim urban, duke e marrë parasysh rrezikun për tërmete në rajon.
Gjatë fushatës, Erdogani i ka vënë në fokusin e fjalimeve të tij vështirësitë e opozitës.
“Asnjë ndryshim nuk ka arritur që ta shërojë dërrmimin politik të CHP-së. Kushdo që vjen e shkon, vetëm i bën gjërat më keq” – tha ai në një tubim këtë javë.