Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ia ka kthyer letrën Kuvendit të Kosovës. Ajo iu ka thënë deputetëve, specifikisht kryesuesit Avni Dehari se seanca konstituive duhet të vazhdohet brenda 48 orëve nga kur u ndërpre ajo. Ky është detyrim Kushtetues, thuhet në përgjiigjen e saj.
“Rrjedhimisht, gjithashtu ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituive ta vazhdoni jo më vonë se brenda dyzet e tetë (48) orëve nga ndërprerja e saj. Andaj, ju ftoj që në përputhje me autorizimet tuaja si Kryesues i seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit, efektive që nga data 8 prill 2025, ta realizoni seancën konstituive në përputhje me parimet kushtetuese të përmendura më lart, Rregulloren e Kuvendit si dhe legjislacionin në fuqi.”
Ajo, tutje ka argumentuar se deputetët e kanë obligim konstituimin, dhe jo bllokimin e institucioneve.
Kjo ishte letra që Avni Dehari i ka nisur Vjosa Osmanit për seancën konstituive
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari i kishte nisur një letër presidentes së vendit, Vjosa Osmani ku i kërkon “sugjerime për opsionet e mundshme përpara”, pas ndërprerjes gjatë ditës së djeshme.
Nacionale e ka siguruar këtë letër, aty ku ai thekson se Raporti i Komisionit për verifikimin e kuorumit dhe mandatave nuk mori mbështetjen e shumicës së deputetëve.
“Në pamundësi të votimit të raportit për verifikimin e mandateve, në cilësinë e Kryesuesit e kam ndërprerë seancën konstituive.
Në këto rrethana, të një situate të paprecedent, unë ju drejtohem juve si Presidente e Republikës për sugjerime për opsionet e mundshme përpara” – thuhet mes tjerash.