Kryeministri, njëherësh edhe “Kryeprokuror”, Hristijan Mickoski po bën edhe ligjin, edhe Maliqin
Rasti tragjik i ndodhur në diskotekën PULS në Koçan, ku humbën jetën mbi 60 persona dhe dhjetëra të tjerë mbetën në gjendje kritike, nxori në pah një të vërtetë të hidhur: shteti dhe ligji në Maqedoninë e Veriut janë inekzistentë. Me ardhjen e qeverisë së re, u krijua përshtypja se gjërat do të ndryshonin, por kjo shpresë u shua shumë shpejt, veçanërisht për shqiptarët, të cilët po përballen me një rikthim të praktikave të vjetra diskriminuese, duke vënë në pikëpyetje të gjitha të arriturat e tyre ndër vite – nga përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe deri te balancuesi etnik në institucione.
Pas kësaj tragjedie, dikush duhej të bëhej “kurban”, dhe kush më mirë se shqiptarët – të cilët historikisht janë shfrytëzuar nga VMRO në skenare të ndryshme politike?
Kryeministri aktual, Hristijan Mickoski, nisi të luante rolin e prokurorit, duke shpërndarë fletarrestime nëpërmjet konferencave për shtyp, e duke treguar me gisht shqiptarët si fajtorët kryesorë për ngjarjen tragjike në Koçan. Arrestimet nisën, duke përfshirë ish-funksionarë që nga viti 2012 – por, çuditërisht, të gjithë ishin shqiptarë. Rrallë ndonjë maqedonas, vetëm për të krijuar një fasadë të balancuar.
Asnjë përgjegjësi nuk u kërkua nga funksionarët aktualë të VMRO-së, as nga partnerët e ngushtë të “kryeprokurorit” Mickoski. U arrestuan ish-ministra shqiptarë, por jo homologët e tyre maqedonas. U ndaluan ish-drejtorë të institucioneve që, ndër vite, u takonin herë shqiptarëve, herë maqedonasve – por përsëri, vetëm shqiptarët përfunduan pas hekurave. Nga redaksia in7.tv