LDK-ja ‘i përgjigjet’ ftesës së Kurtit: JO

Përpjekja më e fundit e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të rikthyer në tavolinën e bisedimeve Lidhjen Demokratike të Kosovës, është ballafaqur me një refuzim të prerë – një qëndrim i përsëritur që, sipas zyrtarëve të kësaj partie, nuk do të kishte minimumin e sensit kur vije nga “përçarësi më i madh politik në hapësirën mbarëshqiptare.”

Përgjigjja e zyrtarëve të LDK-së ndaj letrës se Kurtit në adresë të kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, nuk la vend për ekuivok: “Jo” – një “jo” që, siç u theksua nga nënkryetari Lutfi Haziri, nuk është e re dhe nuk ndryshon.

“Ne kemi thënë jo. Ne e kemi thënë para dy javësh. Qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar.” – tha ai në “DPT me Fidanin”.

Ai kritikoi gjuhën dhe veprimet e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri Kurtit duke i akuzuar për “polarizim” të popullatës.

“Vetëvendosja është sjellë, edhe me fjalor edhe me veprime politike deri sot, si fitues i madh që nuk ka nevojë për askënd, ka fragmentuar, ka ndarë dhe polarizuar popullatën në Kosovë.” – tha Haziri.

Në këtë ton rezonoi edhe përgjigja e një prej deputeteve më të votuara në LDK, Doarsa Kica-Xhelili , e cila kritikoi Kurtin për atë që e përshkroi si një politikë të vetë-shembur që e ka bazuar fuqinë në ndarje sistematike të spektrit politik shqiptar.

“Katër vite, kryeministri në detyrë i ka shërbyer përçarjes politike ndërshqiptare. VV është rast tipik i një partie që ngritet vetëm mbi ndasi, e prandaj s’mbijeton dot pa gjetur fajtorë të jashtëm.Kurtit për 4 vite, nuk i konvenoi asnjë politikan opozitarë shqiptarë. E tani, kur iu mbyll dera nga forcat më të mëdha politike shqiptare, ai po mundohet ta fshehë izolimin e vet politik pas tymnajës së akuzave për ndikime të jashtme. Herë ja zëmë rrugën ne, herë KQZ, herë PZAP… e akoma më shpesh vet rendi kushtetues.”

Sipas saj, kërkesa për dialog sot vjen nga një pozitë politike e dëshpëruar, ku përpjekja për të maskuar izolimin e Vetëvendosjes shfaqet si ofertë bashkëpunimi, por pa ndonjë substancë të sinqertë.

“Pasi ofendoi, shau e izoloi bashkëpunimin politik ndër-shqiptarë, krijoi pozicionin kur qeveria jetëshkurtër që ai synon u reduktua në biseda pazaresh. Kosova e pasluftës nuk mban mend diskurs të tillë përçarës. E kush synim politik ka t’i përçajë shqiptarët, nuk mund t’i bashkojë e unifikojë as në paqe, e as në krizë.” – tha ajo ne Facebook.

Jehona Lushaku-Sadriu, deputete e zgjedhur brenda LDK-së, reagoi ashpër ndaj asaj që e cilësoi si një qasje të “paskrupullt” nga ana e Kurtit.

Ajo e përshkroi Kurtin si përçarësin më të madh të hapësirës politike mbarëkombëtare shqiptare.

“Albin Kurti ka dëshmuar se ishte përçarësi më i madh politik në hapësirën mbarëshqiptare. Qasja e tij arrogante dhe përjashtuese ka dëmtuar komunikimet normale politike ndërpartiake në vend.

Tani, kur si parti fituese nuk arrinë të konsolidojë shumicën dhe kur edhe komunitetet jo-shumicë kanë ndalur bashkëpunimin, Albin Kurti përsëri zgjodhi të akuzojë partitë opozitare pse, sipas tij, nuk e ndaluan ndikimin serb në politikën e vendit.”

“E paskrupullt ishte kjo përpjekje për të shpallur fajtorë, për t’i përçarë e etiketuar të gjithë të tjerët, veç VV-së.

Nga akuzat e djeshme, te oferta për tu takuar sot për bashkëpunim, kjo qasje është e padenjë për demokracinë, e dëmshme për kulturën politike dhe përfaqësimin e qytetarëve.” – tha Lushaku.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Gjesti, fitues i sezonit të 4-të të Big Brother VIP: U kry çdo sen’!

Gjesti është fituesi i sezonit të 4-të të Big Brother VIP Albania. Pas një edicioni spektakolar dhe një gare tepër të fortë mes Rozanës dhe...

A do të ketë vazhdimësi marrëdhënia e tyre jashtë shtëpisë? Gjesti tha: 50/50

Një histori me plot dinamika është ajo e Gjestit dhe Eglit në Big Brother Vip Albania. Nëse 100 kamera kanë qenë duke i...

Rozana Radi befasohet nga një klip prekës të babait të ndjerë, të gjeneruar me Inteligjencë Artificiale

Finalja e Big Brother VIP Albania solli një nga momentet më të ndjera dhe emocionale për këngëtaren e njohur Rozana Radi. Pas një rrugëtimi të...

Duda Balje “divorcohet” nga Kurti, edhe pse konfirmon se i është ofruar një ministri: Kemi vendosur të shkojmë në opozitë

Deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, ka bërë të ditur se do të qëndrojë në opozitë, duke theksuar se vota e saj nuk është...

VLEN hedh poshtë çdo mundësi bashkëpunimi në zgjedhje me Taravarin

Për tradhtinë e bërë, Taravari nuk duhet t’i përgjigjet VLEN-it, por popullatës dhe 107 mijë votuesve që dëshironin rotacionin e madh në skenën politike...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu