Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë deklarata të reja mbi Rripin e Gazës, duke e përshkruar atë si një “copë pasurie të paluajtshme tepër të rëndësishme.” Gjatë një takimi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, Trump theksoi se do të ishte një “gjë e mirë” që një forcë paqeje, si SHBA, ta kontrollonte dhe posedonte këtë zonë.
Trump ka përsëritur mendimin se Izraeli “nuk duhet të kishte hequr dorë kurrë nga Rripi i Gazës,” duke shtuar se territori i përket Izraelit. Sipas tij, vendimi për t’u tërhequr nga ky rajon në emër të paqes ka dështuar, pasi zona vazhdon të jetë një vatër konfliktesh dhe problemesh.
Nga ana tjetër, Netanyahu e quajti vizionin e Trumpit për të zhvendosur palestinezët nga Gazë një ide “të guximshme,” duke propozuar rindërtimin e zonës si një hap drejt stabilitetit.
Megjithatë, një konferencë për shtyp e planifikuar mes Trump dhe Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë u anulua papritur, pa dhënë arsye nga organizatorët. Deklaratat e Trumpit kanë ngjallur debat në opinionin ndërkombëtar për qasjen ndaj Lindjes së Mesme.