Presidenti izraelit Isaac Herzog i dha të dielën Medaljen Presidenciale të Nderit kryeministrit shqiptar Edi Rama, njofton gazeta Jerusalem Post.
Ramës iu dha medalja si mirënjohje për mbështetjen e tij për Izraelin pas masakrës së 7 tetorit, si dhe për qëndrimin e tij kundër antisemitizmit.
“Ju refuzuat t’i dorëzoheni presionit ndërkombëtar dhe demonstruat miqësi të thellë dhe mbështetje jetike për Izraelin”, tha Herzog, raporton Jerusalem Post.
Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama u pritën nga Herzog në rezidencën e Presidentit në Jerusalem, ku liderët diskutuan zhvillimet rajonale dhe nevojën urgjente për lirimin e pengjeve të mbajtur në Gaza.
“Ky nder i jashtëzakonshëm nuk mund të jetë vetëm për mua. Por, e marr në emër të Shqipërisë, të popullit shqiptar dhe mbi të gjitha në emër të të gjithë shqiptarëve myslimanë dhe të krishterë që vunë veten dhe jetët në rrezik gjatë orëve më të errëta të historisë moderne”, u shpreh Rama.
Medalja Presidenciale e Nderit është dekorata më e lartë civile në Izrael, që u jepet atyre që “ndriçojnë botën me lidership të jashtëzakonshëm, qartësi morale, vlera demokratike dhe një miqësi të pathyeshme me popullin hebre dhe shtetin e Izraelit”, shpjegoi Herzog.