Kumanovë, 18 mars – “Për dy minuta ma kanë marr djalin, ai e ka hetuar menjëherë, se ka pasur dhimbje e ka ndal vetë, por deri sa e qova unë ti jap pak ujë aty te çezma ta freskoj, djali më shkoj.”
Babai i të ndjerit Vedat Ademi rrëfen për TV21 tmerrin që kanë përjetuar në Spitalin e Kumanovës.
Amet Ademi thotë se nga terapia që i kanë dhënë, djali ka pasur reaksion të fortë alergjik dhe ka ndërruar jetë.
Ata akoma pa u bërë 24 orë kthehen te spitali duke treguar se një gabim mjekësor i mbyti djalin në lule të rinisë. Ai tha se e çoi djalin në këmbë të veta për ta shëruar, ndërsa nga spitali e nxorën në arkivol.
Mesditë e së hënës ndodhi ajo që nuk duhej të ndodh tha drejtori Stefan Trajanovski. Sipas tij askush nuk do t’i ikë përgjegjësisë, por fillimisht pritet raporti i autopsisë nga Instituti i mjekësisë ligjore. Ndonëse në librezën e shëndetësisë ka shkruar se 32 vjeçi është alergjik nga analgetikët, terapia intravenoze me infuzion i është dhënë pikërisht me këtë substancë analgini që dyshohet se i solli edhe vdekjen klinike.
Familjarët pretendojnë se spitali ka dashur ta fsheh rastin duke e thirrur menjëherë shërbimin mortor, për ta dërguar në murg. Por, me insistim të prindërve rasti është denoncuar edhe në polici.
“Me datë 17.03.2025 në ora 11.35 në Stacionin Policor të Kumanovës është marrë njoftim nga Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës se në gjendje të rënduar shëndetësore në spital është sjellë V.A. Me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë është dorëzuar për autopsi, ndërsa nga zyrtarët policorë është bërë kontrolli dhe intervistimi i të gjithë personelit mjekësor të pranishëm. Rasti është duke u zbardhur.”
Kërkuam përgjigje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë. Nga atje thonë se tani më kanë formuar komision të posaçëm, të cilët do të iniciojnë një kontroll të jashtëzakonshme nga Inspektorati shtetëror sanitar shëndetësor për të zbuluar lëshimet e mundshme nga personeli mjekësor, raport i cili do ti dorëzohet prokurorisë për hetim të mëtutjeshëm të rastit.
Ndryshe varrimi i të ndjerit u bë sot në qytetin e Kumanovës!
VIDEO E PLOT