Përderisa edhe 12 pacientë të tjerë dërgohen në Beograd për mjekim, Arben Taravari jep leksione në Facebook për mënyrën se si duhet të sillen mediat. Doktor Igor Nikollov, personi përgjegjës për informimin mbi gjendjen e pacientëve jashtë vendit, bëri të ditur se sonte me avion janë transportuar në Beograd edhe 12 persona të lënduar nga zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan. Katër prej tyre do të shtrohen në Akademinë Mjekësore Ushtarake dhe tetë në Qendrën Klinike Universitare.
Deri më tani, në Serbi janë dërguar gjithsej 29 pacientë, ndërkohë që tre të plagosur janë transportuar në Athinë, dy në Vjenë dhe dy të tjerë në Zagreb.
Në Klinikën e Toksikologjisë në Shkup janë shtruar 10 pacientë, ndërsa të gjithë pacientët që po trajtoheshin në Koçan janë transferuar në Shkup. Po ashtu, tre persona të tjerë janë sjellë për vëzhgim për shkak të thithjes së gazit.
Nga zjarri tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan, humbën jetën 59 persona, ndërsa 155 të tjerë u lënduan. Disa prej tyre po trajtohen në spitalet e vendit, ndërsa rastet më të rënda janë transferuar për trajtim jashtë vendit.