Protesta paqësore në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, ka eskaluar të premten, pasi që një grup i protestuesve kanë gjuajtur me gurë në drejtim të policisë greke, e cila reagoi duke hedhur gazlotsjellës për të shpërndarë turmat e protestuesve, shkruan The Guardian.
Qindra mijëra njerëz iu kishin bashkuar protestës në Athinë për t’u solidarizuar me përvjetorin e dytë të aksidentit hekurudhor, si pasojë e të cilit humbën jetën 57 persona dhe i lënduan dhjetëra të tjerë, në atë që njihet si aksidenti më i rëndë hekurudhor në historinë e Greqisë.
Sipas policisë greke, afërsisht 300,000 njerëz kanë marrë pjesë në protestë.
Në bazë të vlerësimeve të ekspertëve, aksidenti kishte ndodhur për shkak të pakujdesisë dhe dështimeve të shumta sistematike.
Organizatorët e protestës e kanë fajësuar qeverinë e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, për neglizhim të aksidentit dhe mungesë të transparencës në zbardhjen e rastit.
“Ajo që po shohim është akumulim i zemërimit që rritet minutë pas minute. Qytetarët ndihen të mashtruar. Ata duan përgjigje, duan drejtësi dhe duan të mbështesin familjet e viktimave. Të gjithë besojnë se kjo do të jetë shfaqja më e madhe e fuqisë së popullit në këtë vend në dekada”, ka deklaruar aktivisti politik Petros Constantinou.
Protestat po mbahen në mbi 200 qytete e qyteza në mbarë vendin.
Të gjitha fluturimet ndërkombëtare dhe vendase u pezulluan të premten, pasi punëtorët e trafikut ajror iu bashkuan marinarëve, shoferëve të trenave, mjekëve, avokatëve dhe mësuesve në një grevë të përgjithshme 24-orëshe për të nderuar viktimat e aksidentit. Në të gjithë vendin, bizneset u mbyllën dhe teatrot anuluan shfaqjet.