Nënkryetari i qytetit të Shkupit, Aleksandar Trajanovski sot ka dorëzuar dorëheqje të parevokueshme nga pozita e tij. Nënkryetari i qytetit të Shkupit, Aleksandar Trajanovski, sot ka njoftuar se jep dorëheqje të parevokueshme. Vendimin e tij ai e bëri të ditur në fillim të seancës së sotme të Këshillit të Qytetit të Shkupit, anëtar i të cilit është, ndërsa në fjalën e tij para kolegëve tha se këtë hap e ka vendosur për shkak të mobingut dhe represionit të vazhdueshëm ndaj punëtorëve të Qytetit të Shkupit dhe ndërmarrjeve publike, nga administrata e kryetares Danela Arsovska. Në arsyetimin e tij ai thotë se nuk pajtohet në çfarë drejtimi po shkon qyteti dhe ndërmarrjet e tij publike, transmeton Portalb.mk.
Ndër të tjera, Trajanovski, në sqarimin e arsyeve të dorëheqjes, tha se qyteti menaxhohet dhe qeveriset, siç tha ai, nga ekipi i Sarajit dhe BDI-së, nga radhët e të cilëve, sipas tij, kryetarja Arsovska i emëron drejtorët e ndërmarrjeve publike.
Si një nga arsyet kryesore të vendimit, Trajanovski përmend faktin se vitin e fundit ka punuar vetëm në projekte në komunën e Sarajit, duke theksuar se nuk dëshiron të jetë nënkryetar vetëm i komunës së Sarajit, duke aluduar se vendimet kadrovike në ndërmarrjet publike merren nën ndikimin e BDI-së.
“Qyteti i Shkupit në vitin e kaluar me të gjitha resurset dhe kapacitetet e tij ka punuar në projekte ekskluzivisht në Saraj, sikur të mos ekzistojnë komunat tjera në Shkup. Nuk pranoj të jem vetëm nënkryetar i komunës së Sarajit dhe as nuk pranoj që qyteti të kujdeset vetëm për nevojat e ekipit të Sarajit. Qytetarët nga të gjitha komunat e qytetit të Shkupit, të cilët i paguajnë obligimet e tyre dhe e mbushin buxhetin, presin dhe e meritojnë që Qyteti i Shkupit të punojë në projekte edhe në komunat e tyre”, tha Trajanovski në fjalimin e tij.
Pas deklaratës së Trajanovskit, reagoi Qyteti i Shkupit, nga ku thonë se ai është shkarkuar nga detyra para tre muajsh për shkak të dëmtimit të reputacionit të qytetit, moskryerjes së detyrës dhe moskryerjes së funksionit të nënkryetarit.
Po ashtu, Qyteti i Shkupit përmes një komunikate ka mohuar se BDI ka pasur ndonjë ndikim në punësimet kadrovike dhe këto akuza i ka quajtur joserioze.
“Më saktësisht, ky person nuk ka gjithsej tre minuta aktive në pozicionin e tij. Kërkesa e vetme e këtij personi që ka në dijeni administrata e qytetit është dëshira e tij për të marrë një zyrë, një makinë kompanie dhe një telefon kompanie. Ky person nuk ka pasur asnjë komunikim tjetër, aq më pak sa i përket kontributit aktiv në punën e qytetit, në dy vitet e fundit. Nëse Trajanovskit nuk i interesonte asgjë në qytetin e Shkupit për më shumë se tre vjet deri në shkarkimin e tij në dhjetor të vitit 2024, pyetja është pse do t’i interesonte tani. Është e trishtueshme të shohësh se si të rinjtë vihen në pozitën e poltronëve të shumicës qeverisëse të VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it”, shtojnë nga Qyteti i Shkupit.