Hashim Thaçi nuk po merr pjesë në seancën gjyqësore kundër tij dhe të tjerëve në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të martën.
Mosprezenca e tij ndërlidhet me një problem shëndetësor, tha gjyqtari Charles Smith.
“I vetmi komunikim ishte se nuk ka qenë mirë nga shëndeti, dhe duhet të fliste me një mjek. Komunikoni me të nëse jep leje që të vazhdojmë pa praninë e tij”, tha Smith.
Pas një pauze të shkurtër, seanca rifilloi pa praninë e Thaçit.
Luka Misetiq, udhëheqësi i ekipit mbrojtës të Hashim Thaçit, tha se ka kontaktuar me doktorin dhe se klienti i tij ka marrë leje për mosparaqitje në seancën e sotme.
“Nuk arrita të kontaktoja me të, por me doktorin. Thaçi dhe doktori e kanë marrë lejën përkatëse që të vijojmë me seancën e sotme”, tha Misetiq.
Seanca gjyqësore në rastin Thaçit dhe të tjerët ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të radhës, i cili është paraqitur me masa mbrojtëse.