Historiani e ish-diplomati Sylë Ukshini ka thënë se Serbia ka blerë liderë shqiptarë me para në mënyrë që pavarësia e Shqipërisë të shpallej sa më larg territorit të Kosovës.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, në diskutimin mbi historinë kuqezi, Ukshini ka thënë se sikur pavarësia të shpallej në Shkup, shqiptarët do ta kishin një pozicion shumë më të favorshëm ndërkombëtar.
“Kryengritja e 1912-tës do të duhej të prodhonte shtetin e Shqipërisë, por çfarë u bë. Nëse i kombinon dokumentet, e sheh se ideja ishte se Serbinë e tmerronte lindja e shtetit modern në Kosovë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe shpallja e pavarësisë në Kosovë do të përmbyste përgjithmonë konceptin mitologjik që “Kosova është zemër e Serbisë”. Dhe çfarë bëri (Serbia), bleu liderë shqiptarë me para që kryengritja të zhvendosej sa më shumë jashtë territorit të Kosovës. Sikur shteti shqiptar të ishte shpallur në kryeqytetin e tij, në Shkup, në gusht të 1912-tës, ne do ta shpallnim pavarësinë para se të fillonte lufta ballkanike dhe do të kishim një pozicion shumë më të favorshëm ndërkombëtar”, ka thënë ai.
Ukshini ka shtuar se Shqipëria e ka shpallur pavarësinë në kohën kur ka qenë e ndarë në kuptimi territorial, ekonomik e politik.
“Kur Shqipëria është shpallur e pavarur, Shkupi i është dhënë Serbisë, Manastiri po ashtu, Janina Greqisë, ka mbetur vetëm Shkodra, kur një vendi ia merr qendrat e urbanizuara politike administrative, e lë të gjymtë. Shqipëria ka qenë e sakatosur në kuptimin territorial, ekonomik dhe politik. Kjo ka qenë sëmundje kronike që e ka shoqëruar shtetin shqiptar si në kohën e Zogut, komunizmit e deri më sot sepse ka qenë një shtet i panatyrshëm”, ka shtuar ai.