Rusia po përgatitet të hakmerret pasi thotë se Ukraina e goditi me raketat me rreze të gjatë veprimi “ATACMS” të prodhuar nga SHBA-ja dy herë, në tre ditët e fundit.
Moska ka thënë se të dy sulmet kishin në shënjestër pozicionet e mbrojtjes ajrore në rajonin e Kurskut dhe pretendoi se në të dyja rastet një ose dy raketa arritën objektivat e tyre, ndërsa shumica u rrëzuan, raporton The Guardian.
Sipas ministrisë ruse të Mbrojtjes, sulmi i parë është zhvilluar më 23 nëntor dhe dy nga pesë raketat e lëshuara në një sistem rus të mbrojtjes ajrore S-400 goditën objektivin, duke dëmtuar sistemin e tij të radarit.
Në sulmin e dytë, më 25 nëntor, tetë raketa u drejtuan në aeroportin Kursk-Vostochny, i cili gjithashtu ka një bazë ajrore ushtarake. Një raketë arriti objektivin, duke plagosur dy ushtarë, ka thënë ministria në një deklaratë.
“Ministria është në kontroll të situatës dhe masat hakmarrëse janë duke u përgatitur”, ka thënë ministria në një deklaratë.