Dhuna e protestuesve serbë në Zveçan e sulmi nga grupi terrorist në Banjskë, u vunë para qindra pjesëmarrësve nga pothuajse e gjithë bota në mes të Serbisë. Për ironi, Kosova, Serbia por edhe Ballkani Perëndimor mbetën në hije të diskutimeve treditore nga zhvillimet gjeopolitike jo vetëm politike, por edhe të sigurisë.
Gërshetim mes lashtësisë e modernes është kryeqendra e Serbisë, Beogradi.
Ndërtesat e vjetra që ngërthejnë historinë e zhvillimin modern infrastrukturor, shoqërojnë këdo që udhëton drejt këtij kryeqyteti.
Por, madhështia e “Kalasë së Bardhë” zbehet në qendër të saj.
Mbishkrimet kërcënuese e mesazhet kundër Kosovës nuk mund t’u ikin syve të kujtdo që përshkon rrugët kryesore të këtij qyteti.
Nga “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, te mesazhi i të qenit në shërbim të Serbisë e deri te “Kosova dhe Metohija gjithmonë Serbi, kurrë Shqipëri”, janë vetëm disa prej parullave që të shoqërojnë në një ecje ca minutëshe.
Për ironi, në kryeqytetin me mesazhe kërcënuese e pushtuese, disa prej të cilave fare pranë institucioneve shtetërore, për tri ditë temë kryesore ishte siguria.
Konferenca e Sigurisë në Beograd këtë vit nisi me shfaqjen e disa sekuencave të dhunës kudo në botë, përfshirë edhe atë në Zveçan të Kosovës e të terroristëve që vranë policin Afrim Bunjaku në Banjskë.
Me temën në “Mbrojtje të njerëzimit” u kanalizuan diskutimet që zhvilluan qindra pjesëmarrës, nga njerëz me ndikim në Serbi, Kosovë por edhe Ballkan, Evropë, Amerikë e më gjerë.
Fokus shumë më i madh sesa për Serbinë por edhe për Ballkanin Perëndimor ishin ndryshimet gjeostrategjike në botë e ndikimet e tyre.
Zgjedhja e Donald Trumpit në krye të SHBA-së u konsiderua kërcënues për vlerat demokratike e evropiane nga ish-zyrtarja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.
“Zgjedhja e njerëzve në ditët e para të tij janë sinjale se ai e ka seriozisht. Besoj se çfarë presidenti i SHBA-së jo vetëm që do të thotë, por edhe do të bëjë në këto vlera fundamentale, që na kanë bërë bashkë si komunitet transatlantik do të ketë një ndikim, një ndikim të fortë përçarës në shoqërinë amerikane por gjithashtu nëpër shoqëritë evropiane dhe në botë”, ka thënë Mogherini.
Frikë nga ndikimi i Trumpit u tha se është shfaqur edhe në Francë.
“Çfarë pritet tash në Francë dhe më gjerësisht në Evropë është fakti që rizgjedhja e Donald Trump do të krijojë më shumë Trumpa të vegjël gjithkund”, ka deklaruar Thomas Gomart, drejtor i Institutit francez të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ndryshimet gjeopolitike u kërkua që të nxisin bashkimin në Evropë e shtyrjen përpara të zgjerimit më të shpejtë të BE-së.
“Duhet të shpejtojmë dhe arsyeja për këtë është pikërisht sepse lufta është kthyer në kontinentin tonë”, ka thënë Rene Troccaz, emisar i Francës për Ballkanin Perëndimor.
Pa u përmendur nuk kaloi sulmi terrorist në Banjskë.
“Ju keni individë që dihet se kanë qenë të përfshirë në krimin e organizuar me fuqi politike të cilët janë angazhuar e përfshirë në dhunë politike që jo vetëm se mund të rrezikojë një shtet në këtë rast Kosova por mund të hedhin të gjithë rajonin në trazira”, ka deklaruar Adrian Shtuni, ekspert i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë.
Krahas tyre vend zuri edhe çështja e dialogut Kosovë-Serbi, fillimisht e nxitur si temë nga pyetjet që u bëheshin panelistëve e më pas e shtruar edhe si diskutim në një nga 17 panelet e konferencës.