Nuk ka paralajmërime nga liderët politikë bullgarë se së shpejti do ta formojnë Qeverinë. Nuk kanë filluar as negociatat zyrtare mes partive dhe pritet që të konstituohet parlamenti i ri. Megjithatë pritjet e opinionit janë të fokusuara në mundësinë për koalicion mes dy partive më të mëdha – GERB të Bojko Borisovit dhe “Vazhdojmë me ndryshimin” të Kirill Petkovit. Por nga partia e Petkovit theksuan se kushti i tyre është që Borisov të mos jetë kryeministër.
Ndërkohë autoritetet vendase nuk zbulojnë a kanë plan B nëse në Bullgari nuk formohet qeveri e qëndrueshme politike, me të cilën do të bisedohej për zhbllokimin e procesit eurointegrues.
Euroambasadori në vend, Mihalis Rokas, në pyetjen nëse për Bruksel janë të pranueshme ndryshime kushtetuese me prapaveprim, ai u përgjigj se nuk do që të spekulojë me hipoteza. Ai përsëriti se Maqedonia ka marrë obligim për ta ndryshuar Kushtetutën që të përparojë në rrugën drejt BE-së.
Rokas theksoi se qëllimi i BE-së është që të hapen klasterët negociues me vendin tonë sa më shpejt që është e mundur.