Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, i ka kundërshtuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimin Evropian, se me dy projektligjet e saj për Kosovën po shkel detyrimet nga dialogu.
Ministria ka thënë se përkundër kritikave të ndërkombëtarëve, s’ka shkelur zotimet e dala nga dialogu, derisa është munduar të arsyetojë se do vetëm përmirësim të jetesës së njerëzve, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Legjislacioni në fjalë është në të vërtetë për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurinë shoqërore të popullit serb në Kosovë, duke qenë në linjë me përkushtimin tonë më të gjerë për stabilitet në rajon. Edhe me rezolutën e Kombeve të Bashkuara, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme, përmes së cilës BE-ja mori rolin e ndërmjetësuesit në dialog, thuhet se dialogu duhet të ketë synim përmirësimin e jetës së njerëzve. Me masat e propozuara, Beogradi kërkon të arrijë pikërisht këtë qëllim – të përmirësojë kushtet e jetesës dhe kualitetin e jetës së serbëve në Kosovë”, thuhet në reagimin e MPJ-së serbe në platformën X.
Serbia is committed to constructive and open dialogue with all our partners, including the EU, US and the UK, as well as other international partners, and values transparent and public communication in resolving sensitive issues.
The legislation in question is intended to…
— MFA Serbia (@MFASerbia) November 1, 2024
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e patën kritikuar ditët e fundit Serbinë për këto vendime.
Ato thanë se Serbia ka shkelur detyrimet nga dialogu i Brukselit duke miratuar projektligjin për, siç e quajti ajo, organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës, dhe projektligjin tjetër.
Ndërsa sot, Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, ka thënë se Projektligji i Serbisë për shpalljen e Kosovës zonë të mbrojtjes së veçantë dhe për organizimin e juridiksionit të saj në çështje penale në Kosovë, shkel detyrimet e saj të Dialogut të arritura në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Qeveria serbe të hënën miratoi projektligjin për juridiksionin gjyqësor në Kosovë dhe atë për shpalljen e Kosovës “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.