Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides ka thënë të mërkurën se ai dhe presidenti amerikan, Joe Biden diskutuan përpjekjet e SHBA-së për të ndalur armiqësitë midis Izraelit dhe grupit të armatosur libanez Hezbollah, dhe shprehën optimizëm se një armëpushim mund të arrihet në javët e ardhshme.
Christodoulides, duke folur pas takimit të tij me Bidenin në Shtëpinë e Bardhë, ka deklaruar se të dy udhëheqësit diskutuan për përpjekjet e SHBA-së në këtë drejtim, por nuk pranoi të jepte ndonjë detaj, raporton Reuters.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, Brett McGurk dhe Amos Hochstein do të vizitojnë Izraelin të enjten për t’u angazhuar në një sërë çështjesh “përfshirë Gazën, Libanin, pengjet, Iranin dhe çështjet më të gjera rajonale”, ka deklaruar më herët një zyrtar amerikan.
Dy burime i kanë thënë Reuters se propozimi i SHBA-së do të fillonte me një armëpushim 60-ditor për të lejuar zbatimin e plotë të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të miratuar në vitin 2006 për të mbajtur Libanin jugor pa armë, jashtë kontrollit të shtetit.
“Situata ndryshon çdo ditë. Sot, unë jam disi optimist se mund të arrijmë një armëpushim në një apo dy javët e ardhshme”, ka thënë Christodoulides, duke nënvizuar urgjencën e përfundimit të luftimeve në rajon.
Christodoulides ka shtuar se Qiproja, një anëtare e Bashkimit Evropian, po dërgonte ndihmë humanitare në Gaza dhe ishte e gatshme të evakuonte shtetasit e vendeve të treta në rajon nëse ishte e nevojshme.