Një ngjarje e shëmtuar ka ndodhur në Serbi, ku një djalosh 7-vjeçar nga Novi Pazari, Abdullah Shehoviç, u injorua nga organizatorët e një gare sportive për shkak të prejardhjes së tij. Edhe pse Abdullah doli fitues në garën e 500 metrave të organizuar në Leskovc nga Servisi Publik RTS, ai nuk u lejua të ngjitet në podium për të marrë shpërblimin e tij. Shkaku? Emri i tij dhe fakti që nuk ishte serb.
Në vend të Abdullahut, në podium u ngjitën fëmijët Viktor Kostiç, Mihajlo Stevanoviç dhe Filip Stojanoviç, ndonëse fituesi i vërtetë ishte djaloshi nga Novi Pazari. Ky veprim diskriminues ka ngjallur reagime të forta, duke e theksuar si një akt të ulët dhe të papranueshëm, veçanërisht në një garë ku marrin pjesë fëmijë të vegjël.
Kjo ngjarje ka ngritur pyetje serioze rreth racizmit dhe diskriminimit në vend, sidomos kur bëhet fjalë për aktivitete sportive që duhet të promovojnë barazinë dhe miqësinë mes të rinjve. Hashtagu #StopRacizmit është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke kërkuar drejtësi për Abdullahun dhe për të gjithë fëmijët që përballen me diskriminim të ngjashëm.