Vladimir Bunçeski do të jetë drejtor i ri i Spitalit të Strugës. Bunçevski vjen në vendin e dr. Armend Arsllanit, ndërsa emërimi i ri ka shkaktuar reagime në Strugë. I pari që ka reaguar ndaj emërimit të Bunçevskit është ish-ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, i cili njëherësh vjen nga qyteti i Strugës.
Reagimi i plotë i ish-ministrit Jeton Shaqiri:
Ndërrimi i kuadrove drejtuese nga shqiptarë në maqedonas në Spitalin e Strugës shënon një kthesë të rëndësishme në politikën lokale, një proces që ka ndodhur për herë të parë pas 20 vitesh udhëheqjeje shqiptare.
Drejtorët si Mentori, Asimi, Rexhepi, Muhameti dhe së fundmi dr.Armend Arsllani kanë udhëhequr me sukses këtë institucion.
Megjithatë, nga sot, drejtimin e spitalit do ta marrë Vladimir Bunçeski.
Ky ndryshim përbën një tjetër humbje për shqiptarët e Strugës, të cilët ndihen gjithnjë e më shumë të de-legjitimuar nga ata që u legjitimuan nga VMRO-ja.
Shqiptarët çdo ditë e më shumë po shtypen nga ata që gjatë gjithë këtyre muajve thërrisnin për ndryshim dhe që premtonin se ky ndryshim do të vinte për mirë.
Sot, Struganët pyesin: A ja vlen Vladimir Bunçeski?
Koalicioni VLEN, me këto veprime, tregon fuqinë dhe dijeninë e tij për politikëbërje, duke dëshmuar se çdo lëvizje është e mirë menduar dhe e mir analizuar për të joshur sa më shumë padronët e tyre të VMRO-së.